Home KRYESORE Të premten, raporti final i Venecias. Meta mbrohet nga 3 këshilltarët

Të premten, raporti final i Venecias. Meta mbrohet nga 3 këshilltarët

Të premten, Komisioni i Venecias do të thotë “fjalën e fundit” në lidhje me shkeljet e pretenduara për Presidenti Ilir Meta, për dekretin e anulimit 30 qershorit si datë zgjedhjesh.

Presidenti në seancën që pritet të zgjasë më shumë se dy orë do të “mbrohet” nga tre këshilltarët e tij, të cilët do të përballen deputetë të Partisë Socialiste në anën tjetër. Janë të paktën 10 momente për të cilat Presidneti Ilir Meta nuk pajtohet me projekt opinionin e Komisionit të Venecias dhe po aq pyetje që ai ka shtruar duke kërkuar që ato të marrin vlerësime nga anëtarët e këtij Komisioni, i cili njihet gjerësisht për ekspertizën e specializuar në çështjet Kushtetuese.

Duket se në thelb të kundërshtimeve të Kreut të Shtetit është fakti se sipas tij vlerësimet ligjore “janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar”.  Kështu sipas presidentit “projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor” dhe se sipas tij “krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit”.

Po ashtu sipas tij “paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë” duke shtuar se “shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”.  Presidenti Meta shkon më tej kur thekson se “projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë” apo se “ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”.

Në projekt-opinion, ekspertët e Komisionit të Venecias, duke patur parasysh situatën e krijuar në Shqipëri, theksojnë se presidenti Meta mund të ketë patur synime legjitime, por se ai nuk ka patur asnjë bazë ligjore për vendimin e marrë. “Presidenti mund të anullojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situatë e cila plotëson kriterin për marrjen e masave të emergjencës. Edhe atëherë Presidentit i nevojitet një bazë ligjore specifike – ad hoc – për të shtyrë zgjedhjet”, nënvizohet në përfundimet e Komisionit, ndërsa saktësohet se “anullimi i zgjedhjeve është i mundshëm vetëm në situatat të cilat plotësojnë kërkesën për deklarimin e një gjendje të emergjencës. Megjithatë, rregullat e aplikueshme kushtetuese për situatat e emergjencës nuk janë ndjekur në këtë rast. Nuk ka patur as konsensus politik, i cili do të kishte lejuar përcaktimin e një baze ligjore ad hoc”.

Në letrën e tij presidenti Meta vëren se “disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, për sa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit”, ndërsa thekson se “ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore”. Por në projekt opinion ekspertët e Venecias trajtojnë situatën e krijuar nga bojkoti i opozitës, i cili ishte dhe një ndër argumentet e presidentit Meta për të anulluar datën 30 Qershor duke qenë se në ato zgjedhje nuk merrnin pjesë forcat kryesore të opozitës. Dhe sipas ekspertëve “bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”.

Por sipas Presidentit shqiptar “projekt-opinioni dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik” pasi siç shprehet ai “çdo lider autokrat do të frymëzohet për të shtyrë opozitat që të dalin jashtë sistemit, apo të pamundësojë me forma të fshehura pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje”.

Në përfundimet e tyre ekspertët e Komisionit të Venecias theksojnë se “Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe duke shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve vendore pa një bazë ligjore specifike. Megjithatë, elementët e parashtruar më sipër mund të çonin në konkluzionin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre mjaftueshëm të rëndë për të autorizuar një shkarkim të Presidentit”./ Opinion.al

Share: