Është zbardhur drafti i Partisë Socialiste për ndryshimet që propozon në Kodin Zgjedhor dhe që do të paraqiten nesër në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Në këtë draft nuk është përfshirë një nga dy pikat kryesore që kërkonte OSBE-ja, depolitizimi i administratës zgjedhore.
Depolitizimi i komisionerëve ishte një nga pikat kryesore të OSBE/ ODIHR në raportin përfundimtar pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Në draftin e PS, shihet se ka ndryshuar pika për financimin e partive, barazinë gjinore dhe keqpërdorimin e administratës publike. Pjesën kryesore të draftit të PS-së e zë pikërisht financimi i partive politike në fushatën zgjedhore.
Ndërkohë, KQZ-ja do të ndërtojë një portal për denoncime në lidhje me financimet. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.
Në darft ndalohen donacionet mbi 30 mijë lekë kur nuk është bërë përmes transaksioneve bankare dhe dënohet me një gjobë të barabartë. Fondet e marra nga donatorë të ndaluar kalojnë në llogarinë e KQZ-së. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.
Drafti i jep të drejtë KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejtë shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, ose të verifikojë raportin e auditimit. KQZ-ja për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Në rast të mosbashkëpunimit ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale.
Pikat kryesore për financimin e partive;
Partitë të paraqesin raport financiar për fushatën në KQZ
Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje ruan në arkivë për 7 vite raportet financiare
KQZ krijon portalin për denoncime në lidhje me financimet
Kur dhuruesi nuk është i qartë fondet i kalojnë KQZ-së
Ndalohet donacioni mbi 30 mijë lekë cash
Fondet e marra nga donatorë të ndaluar kalojnë në llogarinë e KQZ-së
Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore
Çdo shpenzim i fushatës zgjedhore dokumentohet pavarësisht datës se kur është bërë
Personat fizikë dhe juridikë që bëjnë donancione për një parti nuk mund të përfitojnë kontrata publike apo si nënkontraktorëpër 3 vite ose në cdo mënyrë tjetër fonde që tejkalojnë 10 mln lekë.
KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejt shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike
Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të verifikimit nga KQZ-ja sipas nenint 91, paragrafi 6 ndërshkohet me gjobë nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë. Mosbashkëpunimi ose refuzimi raportohet në prokurori si vepër penale.
Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.
Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës së dhënë në bazë të këtij neni. Gjoba e vënë nga KQZ është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet brenda 30 ditesh nga marrja dijeni për të. KQZ përjashtohet nga detyrimi të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.”
Drafti: Nuk do të ketë postera të afishuar të fushatës zgjedhore
Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor.
Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese statike në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 2 të këtij neni. Me “materiale propaganduese statike” kuptohen të gjitha materialet që i shërbejnë subjektit zgjedhor apo partisë politike për promovimin e fushatës zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse, etj.
Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhorë në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikën 1 dhe 2 të këtij neni.»
Drafti: Kryetari i partisë të deklarojë me shkrim që s’do blejë vota
Kryetarët e partive që marrin pjesë në zgjedhjet duhet të bëjnë një deklaratë me shkrim ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet./ Opinion.al E.Xh.