Deputeti Myslym Murrizi propozoi sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, shpalljen e 21 janarit si festë kombëtare në nderim të Kongresit të Lushnjes.
“Kongresi i Lushnjes duhet të jetë Festë Zyrtare, pasi ka qenë me rëndësi të madhe për vendin. Kërkesa i është dërguar Kreut të Kuvendit, kryeministrit, si dhe presidentit. Kongresi i Lushnjes është viti i parë i Parlamentarizmit, është festuar për 17 vite me radhë, deri në 1939. Në diktaturë 21 janari u zëvendësua me 11 janarin, 1 ditë festë më shumë, kushton shumë më pak se një PPP që jepni ju. Përveç 28 Nëntorit, asnjë festë s’ka rëndësinë e 21 janarit. Ky duhet të ishte një nga propozimet e bëra që në Kuvendin e parë pluralist” tha deputeti Murrizi.
Kërkesa e tij ngjalli debat në Komision. Si fillim deputeti socialist Alket Hyseni e kundërshtoi këtë propozim duke thënë se kjo sjell kosto financiare për buxhetin e shtetit.
“Festa zyrtare sjell ndërprerje të punës së institucionit. Këtu duhet të shtrohet diskutimi. Dëshirat janë më të mëdha se mundësitë, dhe mundësitë më të mëdha se realizimi. Historia e Shqipërisë ka dhe ditë të tjera të rëndësishme, po a i ka mundësitë buxheti jonë? Me sa kam pyetur kjo e rëndon. Do të kisha shumë dëshirë që dhe Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit mund të shpallen festë kombëtare’’ tha Hyseni.
Ndërsa deputeti Bashkim Fino tha se ky propozim duhet argumentuar historikisht dhe propozoi që kjo çështje të diskutohej në një mbledhje tjetër gjë që u vendos në fund të mbledhjes.
Në 21 janar 1920, u Mblodh Kongresi i Lushnjës në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. /Opinion.al