Home Gjeo-Ekonomia Bild zbulon skandalin/ Një ish-agjent rus, i dërguar i Këshillit të Europës...

Bild zbulon skandalin/ Një ish-agjent rus, i dërguar i Këshillit të Europës në Kosovë

Të enjten, “Komiteti për Politikë dhe Demokraci” i Këshillit të Evropës zgjedh një “raportues për Kosovën”. Detyra e tij është: Të mbajë lidhjet me Këshillin e Evropës për zhvillimin e demokracisë dhe mbi të gjitha për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Pasi të marrë detyrën ai bëhet gati një ambasador i Këshillit të Evropës në Kosovë, ku do të ketë një qasje të gjerë – madje edhe për çështje të ndjeshme.

Gazeta gjermane Bild thotë se kandidatë janë anëtari i Bundestagut Peter Meyer (CDU), i cili ka vite që punon për Kosovën dhe Serbinë, një holandez dhe një rus. Pikërisht ky i fundit ka shqetësuar shumë qarqet diplomatike. Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Alexei Kondratiew. 

Ai ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që nga qershori 2019 dhe anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës së Rusisë. Por sipas Bild ai ka qenë anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) deri në 2010-ën. Ai ka qenë në Kosovë midis viteve 1999 dhe 2001 si pjesë e shërbimit ushtarak rus. Ai kurrë nuk e ka fshehur qëndrimin e tij kundër Kosovës dhe pro-serb.

Vetëm në mars të këtij viti ai deklaroi: “Kosova është njohur nga 114 shtete (por jo nga Rusia!) Si një shtet sovran Kosova është në të vërtetë “zemra e Serbisë”, citon lapsi.al. Ai gjithashtu i përshkroi kosovarët në pushtet si “separatistët shqiptarë”. Veprimet e tyre, sipas Kondratiew, ishin “pika fillestare e konfliktit” në 1999. Ai ka mohuar përpjekjet për spastrim etnik nga ushtria serbe.

Për më tepër, ka spekulime të shumta që Kondratiew është përfshirë në një incident në vitin 2001 kur ka qëlluar me armë në gjendje të dehur duke plagosur disa persona. Ngjarja është raportuar në atë kohë nga RTK. Një gjë është e sigurt që Kondratiew u tërhoq në Rusi menjëherë pas incidentit.

Një i burim i brendshëm i tha BILD se nëse Kondratiew do të bëhet raportues i Këshillit të Evropës për Kosovën kjo do të “linte ujkun të ruante delet”. E qartë është se Rusia nuk ka “interes për një integrim evropian të Kosovës”, por dëshiron të zbatojë interesat e Serbisë në rajon.

Sipas të njëjtave burime, emërimi i Kondratiew do të “vinte Këshillin e Evropës në një situatë të sikletshme, pasi do të vinte në dyshim pozicionin objektiv”. Raportet për Kosovën, tha burimi, do të “përgatiteshin nga një relator qartë i njëanshëm”.

A do ta fitojë Kondratiew garën? Sipas BILD kjo është e mundur sepse Rusia dhe Serbia kanë siguruar paraprakisht mbështetjen e eurodeputetëve italianë dhe grekë. Edhe pjesët pro-ruse në administrimin e Këshillit të Evropës po punojnë për emërimin. Burime të tjera thonë se është “e paimagjinueshme” që Rusia të arrijë shumicën. ©LAPSI.al

Share: