Nga Mentor Kikia
Një lajm që bën fjalë për një divorc të mundëshëm nga bashkëshorti, të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj, është trajtuar më së shumti si lajm rozë, si lajmet me Kim Kardashian.
Me pak fjalë, kryeprokurorja e Tiranës po divorcohet nga bashkëshorti, pasi ky ishte përplasur, edhe fizikisht, me drejtuesen e KPK-së, Genta Bungo, dhe nuk i kishte treguar gruas së tij. Me këtë veprim, bashkëshorti kishte thyer besimin e gruas, dhe për këtë arsye u shkua drejt divorcit…
Ka një sërë pikëpyetjesh në këtë histori, që e bëjnë atë një histori me interes publik. A është kjo një histori e besueshme? Personalisht e vë në dyshim. Divorci mund të jetë një “fake” për të shpëtuar karrierën dhe “dikush” u kujdes që kërkesë-padia të bëhet publike.
Por nuk është ky problemi në këtë rast. Çështja është, nëse është apo jo e vërtetë që kryetarja e KPK-së ka patur një konfrontin verbal dhe fizik me bashkëshortin e një prokuroreje, të cilën ajo e ka subjekt hetimi në kuadër të Vettingut?
Nëse është e vërtetë, atëherë çështja është serioze, pasi vihet në dyshim objektiviteti i Vettingut. Ky proces është shumë i rëndësishëm, edhe sepse vendos për fatin dhe karrieren e një njeriu, por mbi të gjitha, sepse do të vendosë për fatin e drejtësisë. Dhe, qoftë edhe një prokuror apo gjykatës i vetëm të përjashtohet nga sistemti për një arsye që nuk lidhet me kriteret e Vettingut, atëherë procesi vihet seriozisht në dyshim.
Ndaj, nëse është kështu, zonja Bungo duhet të heqë dorë menjëherë nga hetimi i prokurores Imeraj, pasi është në kushtet e konfliktit të interesit. Nëse ka një tjetër konspiracion, ky sërish duhet të sqarohet. Ne kemi nevojë të kemi besim tek drejtësia jonë dhe besimi krjohet duke patur besim, së pari, tek njerëzit që e bëjnë drejtësinë.