Home KRYESORE Falja – atribut i më të fortit!

Falja – atribut i më të fortit!

Nga Gladiola Busulla


E përfytyroni se si do të ishte bota pa faljen?! Ndonëse të falësh – lëndimin, tradhëtinë, braktisjen – nuk është e thjeshtë. Falja përkufizohet si ndërprerje e ndjenjës së pakënaqësisë ndaj një personi tjetër me një gjest humanitar, përmes të cilit ke hequr dorë nga të gjitha format e kompensimit, e dënimit apo hakmarrjes. Në shoqërinë bashkëkohore që karakterizohet nga stresi dhe tensioni, të falësh shndërrohet në një akt të vështirë, por jo të pamundur.

Nën fluksin e mijëra mendimeve dhe shqetësimeve, rrallëherë ndalemi për të reflektuar mbi veprimet tona dhe në mënyrë të pandërgjegjshme, brenda nesh rrjedh egoizmi dhe të mbajturit qëndrim ndaj fyerjeve, tradhëtive, grindjeve e mërive.

E megjithatë, deri në momentin që ne s’do të gjejmë një mënyrë për të falur, do të bashkëjetojmë me mllefin dhe urrejtjen. Përfytyroni se ç’do të ndodhte në qoftë se cilido prej nesh do të mbante mend çdo lëndim të vetëm, çdo fyerje të vetme, të gjithë zemërimin e përjetuar.

Nëse ne do t’i ruanim gjithmonë në zemrat tona, do të krijohej një amulli e padurueshme. Pa faljen do të ishim të detyruar të frymonim, nën ndikimin e pareshtur të vuajtjeve të së kaluarës. Të mos falësh do të thotë të heqësh dorë nga të gjitha shpresat për një marrëdhënie të shëndetshme me të kaluarën. Në këtë kuadër, falja nuk shihet vetëm në lidhje me sjelljet e dëmshme kundrejt nesh, por më gjerë, në raportin që ne vendosim me të kaluarën dhe personat që bëjnë pjesë në të.

Jemi njerëz dhe si të tillë gabojmë, ndonjëherë dhe me vullnetin tonë të plotë. Mendjemadhësia dhe krenaria e tepruar janë cilësi që na largojnë nga koncepti i të qenit modest e tolerant. Është kaq e vështirë të thuash “më fal” dhe akoma më e vështirë “të falësh”. Vetvetiu, jeta bëhet dita-ditës më sfiduese, më sfilitëse. A ia vlen t’i shtosh dhe “aksesorë” të tillë, si armiqtë?!

Të falësh do të thotë t’i japësh vetes mundësinë, për të jetuar më i qetë dhe në harmoni me veten e të tjerët. Nëse nuk je në gjendje të falësh, shpeshherë mbetesh dhe vetëm, sepse falja, altruizmi, mirëkuptimi nuk studiohen në shkollë. Ato t’i mëson jeta, por duhet shumë durim, vendosmëri, mendje e hapur dhe zemërgjerësi për t’i përvetësuar.

Sipas Gandit, falja është stolia ose atributi i më të fortit dhe është e rëndësishme që të gjithë ta praktikojnë, sepse konsiderohet një burim i pashtershëm pasurie, prej së cilës mund të nxjerrim shumë mësime.
Nga ana tjetër shfaqet alternativa e hakmarrjes, pra t’u shkaktosh dhembje dhe vuajtje atyre që na kanë lënduar; t’i imponohesh me të njëjtat forma dhe mënyra.

Hakmarrja mund të përceptohet si një stad që të dhuron sadisfaksionin dhe bindjen se “drejtësia u vu në vend”, duke menduar se kështu po veprojmë legjitimisht.

Por teksa meditojmë, hasim në alternativa më të dobishme e konstruktive, si p.sh., falja.

Pikësëpari të investosh energji për të kryer “aktin e hakmarrjes” është destruktive (për veten mbi të gjitha), një opsion psikologjiksht fatal dhe fizikisht i lodhshëm.

Është e pamundur të gjesh lumturinë e vërtetë përmes hakmarrjes. Asnjë person normal dhe i logjikshëm s’mund të gjejë kënaqësi në të. Nuk po përpiqem të predikoj postulatin kristian “ktheji faqen tjetër”, por e shoh faljen në një këndvështrim tjetër, si vlerë themelore dhe akt i plotë guximi. Faljen nuk e identifikoj si një shenjë dobësie, por si një shprehje autentike të forcës njerëzore dhe virtyt i çmuar që s’e zotëron kushdo.

Përmes kësaj arme titanike mund të zhbëjmë negativitetin dhe të fokusohemi plotësisht mbi atë që është vërtet e rëndësishme në jetën tonë. Kur ne falim dikë, ai resht së qeni prezent në mendimet e ndjenjat tona, ndihemi të lirë e të qetë për të shijuar plotësisht veten, të tashmen e të kaluarën. Nëna e të gjithë njerëzimit (Nënë Tereza) shkruante: – Ndjenja më e keqe? Mllefi. Dhurata më e bukur? Falja.

Të falësh është një proces që të maturon, të motivon. Dhembja kthehet në forcë dhe ti ndërgjegjësohesh se raportet nuk janë të barabarta. Ai që ke falur do të mbetet përgjithmonë në borxh me ty. Por të falësh nuk do të thotë të fshini, të deformoni realitetin, apo të pretendoni se s’ka ndodhur asgjë. Në të vërtetë duhet të kthjellojmë çdo përvojë brenda nesh dhe të mbajmë mend se falja është një akt sublime që kryhet me gjithë zemër.

Share: