Home KRYESORE Mirë t’u bëhet mediave që shesin vetëm politikë!

Mirë t’u bëhet mediave që shesin vetëm politikë!

Nga Ylli Manjani

“Për shkak të mbipërdorimit politik, mediat klasike kanë humbur audiencën”- konkludon Akademik Artan Fuga në librin e tij më të fundit Shoqëria Piramidale.

E drejtë. Shumë e vërtetë.

Mirë t’u bëhet mediave që shesin vetëm politikë!

Kanë kohë që nuk informojnë, aq më pak të edukojnë audiencën me frymën kritike. Ndaj nuk mund të kishin fund më të përshtatshëm sesa humbja e audiencës.

Rrejnë pa pikë turpi! Bëjnë spektakle që emetojnë luks në një shoqëri tejet të varfër. Për këto të fundit asnjë fjalë, asnjë shpresë…

Politikë në lajme, politikë në spektakle, politikë në debate, politikë në tema sociale të stisura. Politikë, politikë, politikë……

Shtypi i shkruar kishte humbur kohë më parë audiencën. Tashmë radhën e kanë televizionet që të sjellin me pahir në shtëpi politikë. Ndaj njerëzit me të drejtë ndërrojnë kanal dhe preferojnë më mirë një film të stërparë sesa një emision politik me të njëjtat fytyra, me të njëjtin stil e me të njejtat sherre në studio.

Rrjetet sociale janë sot vendi i vetëm ku njerëzit informohen por edhe marrin pjesë duke shprehur mendime dhe debatuar.

Gjithmonë është rrisku i keqinformimit nga lajmet e rreme apo shpifjeve, të cilat janë të pashmangshme. Por të paktën debatohet dhe shprehet mendimi lirisht. Bëhet pra ajo që televizionet nuk të lejojnë ta bëjnë!

Kështu që nuk e mbështes hiç fare thirrjen për të reformuar mediat klasike. Ato nuk reformohen më! Kanë marrë fundin e merituar.

Humbja e audiencës është zgjidhja momentale e problemit të mediave të blera dhe të keq e mbipërdorura nga politika.

Bindja ime është se të njëjtin fat kanë edhe portalet që bëjnë llo llo llo politike, shpifin e përhapin lajme të rreme.

Audienca shqiptare tashmë është goxha e edukuar për të dalluar lajmin nga thashethemi, mendimin e lirë nga komenti me pagesë, shpifjen nga e vërteta.

Të humbur janë të gjithë ato media që luajnë kundër kësaj audience.

Share: