Home KRYESORE Nuk jam më shumë…

Nuk jam më shumë…

Nga Gladiola Busulla

…Se një çast në ditën tënde.
Një pulitje sysh
A një psherëtimë,
Që zhytet thellë në zemër
Për të heshtur aty.
Nuk jam më shumë
Se distancë, në ditën tënde.
Një erë e marrë që uturin
Larg teje.
Nuk jam më shumë
Se një terrinë shkretane,
Në ditën tënde,
Që s’ përndizet nga
Brerorja e hënës e
as nga grumbuj yjesh.
Nuk jam më shumë
Se një bulëz vese,
në ditën tënde
Që çastshëm
të mugullon shpirtin.
Nuk jam më shumë
Se mbuloja e artë e vjeshtës
Në ditën tënde.
Një re e tymtë, fragmentare
që sytë e tu përndjekin
me ëndje deri në harrim.
Nuk jam më shumë
se një bregdet klandestin
në ditën tënde,
ku dallgët trokasin të papërpikta,
mbi kështjellat e brishta të rërës,
ku fshihet shpirti im.

Share: