Sizmologu Rrapo Ormeni edhe qetëson qytetarët se nuk ka vend për panik, pas lëkundjeve që u regjistruan këtë pasdite në orën 16:03. Në një lidhje direkte në emisionin Opinion, ai tha se regjistrimet e IGJEUM tregojnë se magnituda ishte 4.3 me epiqendër 9 km në veri të Durrësit.
“Po përdoren shumë aplikacione dhe po merren informacione edhe nga interneti. IGJEUM ka regjistruar një tërmet, që është në serinë e tërmetit të 26 nëntorit Me një thellësi 30 km dhe magnitudë 4.3. Ndjeshmëria lidhet edhe me zgjatshmërinë. Kishte një zgjatshmëri më të madhe nga pas goditjet e tjera.
Ishte një normalitet, deri tani janë regjistruar mbi 2000 pas goditje. Mbi 27 prej tyre janë më magnitudë mbi 4. Kjo magnitudë është normale. Këto lëkundje po vijnë duke u zvogëluar në shpeshtësi, por edhe si magnitudë. Nuk duhet t’i përdorim shumë aplikacionet, duhet të shohin faqen IGJEUM. Ajo që përdorim ne është mangituda lokale, që është me e sakta” – tha sizmologu. /opinion.al