Home KRYESORE “Ky është ligj fashist”, thirrja e Ylli Rakipit për deputetët në Komision

“Ky është ligj fashist”, thirrja e Ylli Rakipit për deputetët në Komision

Komisioni Parlamentar i Medias ka thirrur sot shoqatat e gazetarëve që kanë kundërshtuar publikisht projekt-ligjin për mediat online në mënyrë që ato të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre.

Gjatë fjalës së tij, gazetari Ylli Rakipi u kërkoi deputetëve të dalin këtë herë në anën e mediave pasi ky ligj sipas tij është “fashist” dhe synon ti mbyllë gojën mediave.

“Paketa anitishpifje është iniciative personale e kryeministrit, mospëlqimi i tij për mediat online është i njohur publikisht. I drejtohet mediave me një gjuhë poshtëruese, lideri ynë ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Jam dëshmitar i dy gjyqeve të kryeministrit tonë, kërkonte të më dënonte për agjitacion e propagandë… imagjinoni çfarë mund të bëjë ai me katër veta tek Këshilli i Ankesave të AMA-s”, tha Rakipi.

Ai argumentoi se ky ligj është i panevojshëm pasi çdokush që ka ankesa ndaj një mediumi mund ti drejtohet gjykatës. Sipas tij ky ligj po zëvendëson vendimet e gjykatave me dy institucione shtetërore tek të cilat nuk ka garanci nëse do të veprojnë të pavarur nga politika.

“Nuk ka asnjë garanci se këto dy institucione shtetërore AMA dhe AKEP do veprojnë në pavarësi nga politika. Ne jemi njerëzit që tregojmë publikisht se çfarë ndodh këtu. Ne shohim se ka mbetur një kryetar shteti i vetëm përballë këtij regjimi. Ka dalë jashtë sistemit opozita e cila nuk e dimë sot se ku është dhe sa vendime ka marrë në interesa të veta. Ndaj, nëse mundeni ju (deputetët) kaloni në krahun e medias.

Turp i madh për këtë vend me gjithë këtë tragjedi (tërmeti) të bëhet një ligj për ti mbyllur gojën medias. Ky është një ligj fashist. Nuk është i nevojshëm ky ligj. Qytetarët apo zyrtarët që kanë pretendime ndaj një media të caktuar mund ti drejtohen gjykatës. Nuk mund të zëvendësohen vendimet e gjykatave me vendimet e dy institucioneve në parësi të qeverisë”, shtoi Rakipi. / Opinion.al

Share: