Një ditë pasi mori detyrën, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, vizitoi pikërisht Prokurorinë e Durrësit, në qytetin ku është dhe dosja më voluminoze e hetimit për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.
Çela pritet të takohet me prokurorët e rrethit, të cilët tashmë kanë nisur sekuestrimin e materialeve hetimore në bashki për të verifikuar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe punën e zyrtarëve lokalë në lidhje me ndërtesat që u shembën.
Prokuroria ka nisur hetimet pak ditë pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”.
Prokuroria ka sqaruar se “është bërë qyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore këqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas.
Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera, nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, grupi hetimor, të jetë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. “Njëkohësisht vazhdon dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato”, saktësoi njoftimi./ Opinion.al