Home I pakategorizuar Paketa “Antishpifje”, reagon OSBE: Versioni i fundit ka përmirësime

Paketa “Antishpifje”, reagon OSBE: Versioni i fundit ka përmirësime

Përfaqësuesi i Lirisë së Medias në OSBE, Harlem Desir ka reaguar në lidhje me projekt-ligjet për mediat që do të paraqiten nesër në Kuvend.

Në një postim në Twitter ai shkruan se në draftin e fundit të publikuar janë bërë “shumë përmirësime” ndërkohë që shton se puna do të vazhdojë për të ulur nivelin e gjobave të parashikuara në ligj.

Ne kemi punuar me Kryeministrin Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë deri në minutën e fundit për të përmirësuar projektligjet për median, dhe për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE-së. Shumë përmirësime në versionin e fundit të botuar sot në krahasim me projektligjet e mëparshme: detyrimet e regjistrimit janë eliminuar; masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me standardet ndërkombëtare të prezantuara (neni 4); janë futur kufij të rreptë për marrjen e përmbajtjes (neni 132); rregullimi i së drejtës së përgjigjes është përshtatur me nevojat e botimeve elektronike dhe është kufizuar për të shmangur keqpërdorimet (neni 53/1); atribuimi i ri i AKEP është eleminuar. Puna do të vazhdojë për të ulur nivelin e gjobave, dhe për miratimin e një instrumenti nënligjor të ardhshëm, në mënyrë që të garantohet se nuk mund të vendosen gjobitje jo proporcionale për ofruesit e shërbimeve elektronike të publikimit.”, shkruan Desir.

Në fund të reagimit të tij, Desir shkruan se zyra e tij do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit të ri duke lënë të kuptohet kështu që OSBE e miraton kalimin e kësaj pakete në Parlament.

Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. AMA duhet të zbatojë ligjin në një mënyrë vërtet të pavarur.”, përfundon ai.

Një gjë e tillë u paralajmërua edhe nga kryeministri Rama disa orë më parë.

Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e Harlem Desir”, shkruajti Rama në Twitter.

Ndërkohë deklarata ka patur edhe nga Komisioni Europian dhe Parlamenti të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me lirinë e medias pas miratimit të këtyre projetkligjeve. /Opinion.al

Share: