Nga Capajev Gjokutaj
Ramë shumë shpejt në një mendje: në Shqipëri nuk ka as të majtë, as të djathtë. Ka vetëm dy klane politike që alternojnë njeri-tjetrin në pushtet. Dhe per të arritur t’i gëzojnë të mirat e qeverisjes, na kanë hedhur trutë e gomarit.
Pandehim se jemi të djathtë a të majtë, se militojmë për alternativa të ndryshme zhvillimi. Në fakt gjithçka bëhet për pronat e privilegjet e parisë, shumë-shumë për interesa klanesh.
Këtu doli një pyetje që e diskutuam gjatë e s’i dhamë dot dum: Si shjegohet që hyjmë kaq seriozisht në rol? Jemi naivë dhe besojmë vërtet, apo shtiremi se jemi të majtë a të djathtë, ngaqë kështu na e do interesi?
Mbase shtiremi. Hiqemi të djathtë a të majtë që të bëhemi pjesë e klanit e të përfitojmë diçka. Secili sipas takatit: ca tendera e konçensione, dmth llokma Shqipërie, të tjerë thërrime, një vend pune në administratë p.sh..
Mbase i mbushim mendjen vetes se qënkemi të majtë a të djathtë ngaqë bëjmë jetë shpirtërore të varfër. Njeriut s’i pëlqen ta shohë veten bosh e mediokër, ndaj vetësugjestionohet se lufton për gjëra të mëdha, se ia kanë nevojën etj. etj..
Mbase kemi një keqkuptim masiv: konvertojmë mekanikisht të persekutuarit në të djathtë, kurse përkrahësit e diktaturës në të majtë. Ballistët gjatë luftës ishin socialdemokratë, pasardhësit e tyre sot janë puro të djathtë.
Mbase ndarja në grupe që luftojnë njeri-tjetrin është zakon i shoqërive të varfëra. Të mirat materiale e shpirtërore nuk dalin për të gjithë. Kjo na ka shtyrë historikisht të stërtheksojmë ndarjet në sojlinj dhe harbutë, në myslimanë e kaurë, në partizanë e ballistë, në të majtë e të djathtë.
Këto grupe gjithnjë demonizojnë njeri-tjetrin. Jo se tjetri është vërtetë i lig, por se duhet përjashtuar nga ndarja e të mirave, që i kemi me pakicë.
Dhe s’di të thotë i ziu njeri, cili peshon më shumë fukarallëku i barkut apo ai i kokës.
( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )