Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, një sasi tritoli ka shpërthyer në makinën e Albert Kuliçit, zv/drejtues në Prokurorinë e Vlorës. Detyrën si prokuror ai filloi në tetor të 2010.
Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka patur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në qytetin bregdetar, duke filluar nga skandali i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.
Kuliçi ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.
Ky është atentati i dytë që i bëhet një prokurori ku më herë iu bë atentat prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Automjeti me të cilin ai po udhëtonte është qëlluar me breshëri automatiku në një nga rrugët në hyrje të qytetit të Durrësit. Ndoja ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën./ Opinion.al