Home KRYESORE Universi i gruas – çanta e saj!

Universi i gruas – çanta e saj!

Nga Gladiola JORBUS

Ajo ka forma, ngjyra, përmasa, modele dhe çmime të ndryshme; për pjesën më të madhe të burrave mbetet ende mister se ç’fshihet pas saj, ndësa për gratë duket si një pjesë e materializuar e shpirtit të tyre.

Thënë shkurt: çanta është universi i vogël i çdo femre. Brenda saj, ajo gjen gjithçka që i nevojitet, teksa ndodhet jashtë shtëpisë: portofol, celular, buzëkuq, dezinfektues duarsh, kapëse flokësh, një panolinë (nëse ka fëmijë të vogël), një çakmak, syze dielli, një paketë cigare, një kuti e vogël tualeti, një krem duarsh, rimel, çëmçakëza, ndonjë aspirinë, një parfum, kartopeceta higjienike, laps i zi për sytë, çelësa, libër, bllok, stilolaps, shall, çadër, ndonjë biskotë e dhjetëra vogëlsira të tjera që s’po më vijnë ndër mend.

Çantat e grave i ngjajnë gjithnjë e më tepër asaj të Meri Popins, çanta ideale për secilën syresh, duke iu vënë në dispozicion një mori sendesh për të cilat kanë nevojë. Përmbajtja e çantës përshkruan njëkohësisht dhe natyrën e pronares së saj.

Profesionet e ndryshme ndikojnë gjithashtu në arsenalin që fshihet në çantën e një zonje. Doktoreshat kanë pothuajse gjithnjë stetoskopin, apo bllokun e recetave me vete, mësueset ditarin e stilolapsin, ndonjë shkumës të harruar, kurse ekonomistet e vjetra në moshë, një makinë llogaritëse pas së cilës ndihen të afeksionuara; pse jo stilistet ndonjë metër, parukieret krehër e gërshërë, besimtaret mund të kenë ndonjë kryq, rruzare a libërth fetar; supersticiozet – objektet fatsjellëse; të apasionuarat e elektronikës nuk harrojnë assesi hard diskun apo usb-në; e kështu me radhë.

Dukuri e përgjithshme është se fëmijët s’janë të autorizuar të prekin çantat e nënave të tyre, kurse “të shkretët” burra preferojnë t’u qëndrojnë qindra km larg, “kaosit” që vlon brenda çantave të partnereve.

Po ju rikujtoj një element në dukje të parëndësishëm të njërit prej personazheve simbol të letërsisë ruse, Ana Kareninës. Deri në çastet e fundit të jetës, (së cilës i dha fund duke u hedhur mbi shinat e trenit) mbante në duar një çantë kadifeje të kuqe. Pra, çanta mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e pronares së saj.

Por tragjedia e vërtetë për çdo grua, ndodh kur ndryshon çantë, dhe vë re se diçka i mungon. Bota feminile pothuajse shembet, sepse çanta është territori i gruas, e mbushur plot me gjëra të dobishme; ku secili nga objektet i ngjet një qëllimi, një dëshire, një projekti, një ëndrre apo një shprese.

Siç thotë shkrimtari Italian Fabio Volo: “Ka histori të bukura dashurie në pjesën e fundme të çantës, midis paketës së cigareve dhe çelësave, prandaj ndonjëherë lodhemi për t’i gjetur ato brenda në çantë, sepse tentojnë të fshihen për të mos dalë më nga aty”.

Share: