Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera 14 JANAR 1990 – 14 JANAR 2020, ATA U NDESHËN DHE FITUAN,...

14 JANAR 1990 – 14 JANAR 2020, ATA U NDESHËN DHE FITUAN, NE PO IKIM DUKE PRANUAR HUMBJEN

Më 14 janar 1990 në qytetin e Shkodrës, merr zjarr shkëndija e parë e rebelimit antikomunist. Ajo filloi me shembjen e bustit të Stalinit, për të qenë dhe mbetur në historinë e lëvizjeve demokratike shqiptare si preludi i rrëzimit të diktaturës komuniste dhe ardhjes së demokracisë.
Shkodra, qyteti me numrin më të madh të të burgosurve dhe të internuarve, me numrin më të madh të institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, të mbyllura, tjetërsuara, plaçkitura dhe shkatërrua, me një popull që ka ditur gjithmonë ti bëjë qëndresë çdo poshtërsie komuniste duke paguar shtrenjtë, Shkodra do të ishte e paraprijësja e lëvizjeve demokratike.

Në Shkodër më 14 janar 1990 nuk ishte thjeshtë një tubim, nuk kishte vetëm një protestë, nuk u kërkua të hidhej përdhe një bust, por po i shkulej nga themelet guri më i rëndësishëm i karabinasë së despotizmit të kuq. Do të ishin shkodranët, djemtë trima dhe kurajozë, antikomunistë, ata që do të guxonin të ngriheshin, do të guxonin të provonin se komunizmi i kishte orët e numëruara.

Dhe ashtu vërtetë ndodhi, por e shkuara është një kujtesë dhe kujtesa është një mundësi për të bërë bilancin e asaj, për të cilën ishim gati të sakrifikonim edhe jetën dhe asaj me të cilën u shpërblyem. Në jemi një popull i mashtruar. Ne jemi ato kurajozë të lirisë dhe demokracisë që u ndeshëm dhëmb për dhëmb me komunizmin, dhe sot, duhet që bijtë e tyre ti pranojmë të kenë në dorë fatet tona dhe të fëmijëve tanë.
Për çfarë luftuam dhe çfarë fituam?

Sot nuk është e vështirë që këtyre pyetjeve tu jepen përgjigje, përgjigje të cilat janë një plagë që hapet mbi plagë, një dhimbje që dhëmb më shumë se çdo dhimbje dhe ajo është dhimbja e zhgënjimit. Luftuam dhe u ndeshëm pa kursyer asgjë që e ardhmja e fëmijëve tanë të ishte një e ardhme e merituar dhe jo një e ardhme që u dhurohet bijve dhe bijave të persekutorëve, të atyre që përndoqën, keqtrajtuan, masakruan, internuan, burgosën dhe vranë, duke lënë pa varrë etërit tanë.

Jo!

Ajo për të cilën u ngritën djemtë trima të Shkodrës 30 vite më parë, ajo tek e cila ata besuan, ajo për të cilën ata u gjykuan, u dënuan dhe vuajtën, nuk ishte që pushtetin e Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë ta rimerrnin komunistët, bijtë e etërve gjakatarë, të cilët ndryshe nga baballarët e tyre, janë më të paskrupullt, më të pamëshirshëm, më hipokritë, më djallëzor dhe më të këqijtë për fatet e vendit.

Ku ishim, çfarë bëmë dhe ku përfunduam? Zemërthyer e shpirtlënduar, të përdorur dhe të fyer, të mashtruar dhe të denigruar, të mënjanuar dhe të poshtëruar. Sërish edhe sot pas 30 vitesh me të njëjtën arsye si para 30 vitesh për t’u ngritur në këmbë, për të ngritur zërin, për të guxuar dhe për t’u ndeshur edhe me të bijtë si me etërit.

Me të ligjtë nuk ka besë dhe pajtueshmëri, nuk ka aleanca dhe pakte, nuk ka dakordësi dhe bashkëjetesë politike, ka një të shkuar dhe një të ardhme që rreket ta riciklojë atë të keqe që dje fshihej pas statujave, sot fshihet pas propagandës. Dje kishte nga ata guxuan të ngriheshin, të përpiqeshin, të ndesheshin, sot…, sot ai që ka mundur ka ikur, ai që s’mund ka qëndruar në pritje për të ikur duke pranuar gjithçka që demokracia na dha si shpërblim.

Sot pas 30 vitesh ata u ndeshën dhe fituan, neve na ka mbetur të ikim duke pranuar humbjen./ “Zani i Malsisë”

Share: