Home KRYESORE Ambasadorja Amerikane: Ne jemi ende me ju krah për krah!

Ambasadorja Amerikane: Ne jemi ende me ju krah për krah!

Ditën e nisi herët. Yuri Kim, ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë fillimisht i ka dorëzuar letrat Kredenciale Kreut të Shtetit shqiptar, duke filluar kështu dhe zyrtarisht misionin e saj diplomatik. Përmes një deklaratë për shtyp, Ilir Meta shprehu kënaqësinë të takonte ambasadoren e re amerikane Kim, duke shtuar se SHBA është një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.

Në daljen e saj të parë publike nga Tirana ambasadorja Yuri Kim zgjodhi që një pjesë të mesazhit të saj ta shprehte në gjuhën shqipe. “Ne jemi ende me ju krah për krah”, theksoi diplomatja amerikane.

Duke theksuar se Shqipëria mbetet një aleat me vlerë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorja theksoi mbështetjen për rrugën drejt BE-së, por mbi të gjitha për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

“Pres të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë ndërkohë që ata marrin hapa për Reformën në Drejtësi dhe për të larguar korrupsionin. Besoj se kur drejtësia të hedhë rrënjë në drejtësi të tërhiqen më shumë investitorë. SHBA e vlerësojnë Shqipërinë si një aleate të vërtetë. Ne qëndrojmë krah jush sot, për të mbështetur të ardhmen tuaj në familjen europirane”, tha ambasadorja amerikane.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake./ Opinion.al

Share: