Nga Branka Bogavac
Dikur para fundit të vitit 1990 më ra telefoni. Më thirri gazetari nga Shkupi, redaktori i revistës letrare Mlad Borec, Sinisha Stankoviq: “Zonjusha Bogavac, kemi një lutje të madhe për Ju. Në Francë ka mërguar shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili na intereson shumë, dhe Ju lutemi që ta zhvilloni një intervistë me të, që do të ishte me shumë rëndësi për redaksinë tonë.”… Nuk është për t’u befasuar që Stankoviqit i jam përgjigjur: “Ç’Kadare? Ai ka kërkuar azil, atë e fshehin, e ruan policia dhe nuk ka asnjë gjasë e mundësi, as shpresë, që të ndodhë diçka e tillë.” Për herë të parë isha e shtrënguar të bind dikë se nuk është e mundshme intervista. “Ne, megjithatë, mendojmë se, po qe se dikush do të kishte sukses ta bëjë këtë, do të ishit pikërisht Ju”, – insistonte ai. Kjo thirrje telefonike, nuk më la indiferente, pa marrë parasysh se realizimi ishte pothuaj i pamundshëm. Përkundrazi, nga një anë ai më imponoi detyrën, e nga ana tjetër tek unë e zgjoi kërshërinë, atë gazetareske, së cilës i ofrohet rasti që ta njohë veprën e shkrimtarit shqiptar, për të cilin gjerësisht kishte shkruar shtypi francez dhe për të cilin para kësaj kohe aq bindshëm dhe me zjarrmi më kishte folur Zoran Mushiqi, piktori i njohur slloveno-francez, teksa kisha zhvilluar intervistë me të.
Kështu filloi interesimi dhe marrja ime me njërin nga shkrimtarët më të rëndësishëm ballkanikë dhe nga vendi i panjohur për ne, përkundër kufijve të përbashkët. Fillova që të thellohem në veprën e tij si në ndonjë oqean në të cilin, duke mos qenë notuese, kam mundur edhe të fundosem. E kam zbuluar botën e panjohur nga faraonët egjiptianë dhe lashtësia greke, përmes Mbretërisë Otomane, të ngritjes e të rënies së saj, e deri te Bashkimi Sovjetik, Kina, Europa e Mesme dhe Perëndimore. Por po ashtu, njëkohësisht, kam filluar që ta zbuloj atë që është më e çuditshmja dhe më e pabesueshmja, si kjo vepër letrare autentike është lindur dhe është krijuar në diktaturën e përgjakshme komuniste dhe si ky shkrimtar ka arritur që ta krijojë e ta ruajë, nganjëherë i rrethuar nga rreziku i eliminimit. Më tragjik është fakti se lavdia e pabazuar, e dalë nga fakti se ai, megjithatë, ka krijuar diçka që absolutisht ka rënë ndesh me regjimin në të cilin ka jetuar dhe ka mbetur gjallë. Së këndejmi armiqtë e tij, me qëllim që ta nënçmojnë, e numërojnë në mesin e të dashurve të Enver Hoxhës. Mirëpo, jeta e tij realisht ka qenë ferr i njëmendtë në Shqipëri. Pasioni i krijuesit gjithmonë është në përpjesëtim me talentin e tij. Pa dyshim se Kadareja e ka poseduar talentin, që e ka ndihmuar të rezistojë, por kushtet në të cilat ka botuar ishin më shumë sesa të ferrta. Do të thuhej se ky njeri, duke shkruar dhe duke krijuar, në pajtim me konditat të cilat e rrethonin, ka gjetur rrugët kah të kalojë i pahetuar; e kishte ideuar, e kishte konceptuar sistemin e mbrojtjes, varësisht nga rreziqet të cilat e kërcënonin. Dhe kështu me decenie. Nga të gjitha këto beteja, luftëra, kanë dalë dyzet romane dhe renomeja e shkrimtarit botëror, si dhe vlerësimi i kurorëzuar me shpërblimet prestigjioze letrare. Nga thirrja prej Shkupi kaluan tre muaj e një ditë. Duke dalë nga metroja në lagjen në të cilën jetoj, e njoha Kadarenë. Ashtu para meje ngjiste shkallët. Çfarë të bëj tash? T’i ofrohem? Ai është me azil politik, fshihet, këtu pothuaj është inkognito, e unë nga ana tjetër jugosllave – dhe ky mund të ishte problem akoma më i madh. Pos kësaj, Shqipëria dhe Jugosllavia nuk e dija se a kishin marrëdhënie diplomatike. Ai vetëm, unë vetëm. Mendoja, shkrimtari, megjithatë, është personalitet publik dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet. Vallë, ta humbas këtë rast për çka po përgatitem tre muaj?! Instinkti i gazetarit është akoma më i madh për aq sa shkrimtari është më i madh dhe në çastet vendimtare asgjë nuk mund ta ndalë në këtë rrugë. Është më i madh sesa konsideratat e cekura. Në favorin tim ishte edhe fakti se librat e tij tashmë më kishin bërë për vete, më kishin pushtuar (edhe unë ato), gjë që më jepte forcë dhe arsye për një gjest të tillë. Nuk do t’i qasem ashtu formalisht nga fakti se është shkrimtar i famshëm, ndaj të flasim, për shembull, për motin e mirë. Kam mbështetje – e njoh veprën e tij. Ende kisha dilema, mëdyshje… A kishte kuptim ta ndaloja njeriun? Nëpër kokë më silleshin mendimet për marrëdhëniet e komplikuara shqiptaro-jugosllave dhe çfarë do të mendonte ai. Mos isha ndonjë provokatore? Mëdyshjet dhe pyetjet vazhduan disa sekonda dhe për përsiatje filozofike nuk kisha kohë. E kuptova se ishte rasti unik dhe vendosa t’i ofrohem. Kurse ai, krejtësisht i qetë, nuk u çudit. Aspak. E as që mori qëndrim dyshimi. Sikur kishte pritur pikërisht një gjë të tillë, një takim të tillë. Këtë herë rasti im deshi që pikërisht Kadareja të shkonte në drejtimin tim. Kështu pas njohjes vazhduam së bashku. Pasi rasti ishte këmbëngulës, na shpinte drejt shtëpisë sime. E ne ballkanasit nuk do të ishim ballkanas po qe se nuk e manifestojmë mikpritjen – shenjëtarinë tonë. Në këtë eufori që e kisha takuar shkrimtarin të cilin me muaj nënvetëdijshëm e kërkoja (e bindur se ishte punë e kotë, e pamundur), njëherazi edhe e shtangur, e pyeta se a do të dëshironte të vinte tek unë.
Ai, po ashtu si ballkanasit, i vetëdijshëm se kjo nuk refuzohej, krejt natyrshëm e aprovoi: “Po shkoj deri në shtëpi që të merrem vesh me gruan time. Do t’ju tregoj pas gjysmë ore se a do të vijmë apo jo.” E kam të qartë se propozime të tilla dhe dialogë me njerëz të panjohur në rrugë mund të bëhen në botën e bardhë vetëm në mes të ballkanasve dhe s’ka si të mos jenë të jashtëzakonshme. Nuk mendoja se ai ishte shqiptar, kurse unë jugosllave, dy popuj mes të cilëve veçse nuk kanë vringëlluar shpatat, për ta thirrur në shtëpi armikun dhe ai duhej që të vendoste të futej në shtëpinë e armikut. Këtë mund ta bëjë vetëm dikush që paksa ka shkalluar dhe dikush që kaherë është ndarë nga të gjitha konventat tokësore dhe të robit, dikush që është mbi gjepurat, intrigat e mbijetuara, i cili shikon dhe sheh vetëm vlerat njerëzore, prej ngado që vijnë. Kurse ai kushedi se çfarë mendoi. Çfarëdo ka mundur të hamendësojë në gjendjen e tillë dhe të pyesë se mos është fjala për ndonjë kurth. Një diplomat yni nuk më ka folur më, pasi lëvdohesha nga fakti se kisha takuar Kadarenë. Megjithatë… Mendoj se disa gjëra bëhen në një gjendje të veçantë, që do t’i quaja të larta (etat second), atëherë kur në vendin tonë vendos diçka tjetër, jo arsyeja, por ngazëllimi, intuita, zjarri i cili na kaplon, diçka që është mbi gjithçka që pengon dhe përkufizon. Sigurisht, edhe shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët e mëdhenj i kanë krijuar veprat e veta në gjendje të tillë të jashtëzakonshme, të veçantë dhe të lartësuar, kur të gjitha ndjenjat i kanë drejtuar në një kah, të trazuar dhe të tendosur që t’u përgjigjen kërkesave të atyre çasteve kur prej tyre shpërthen vërshimi artistik. Mua, gjithsesi, më ka bartur elani i tillë, jo që diç të krijoj, por të vendos për një sjellje të tillë, hap të tillë, në Paris, në Perëndim, dhe nuk më vjen keq për këtë. Pas gjysmë ore Kadareja më thirri në telefon duke më thënë se do të vinte me bashkëshorten e tij. Për mua kjo do të thoshte se nuk kisha gabuar. Ngazëllimi më paralajmëronte diçka të bukur, që u dëshmua dhe më gëzoi. Nuk është e lehtë t’i presësh të ftuarit, mysafirë të panjohur. Që nga rruga kisha parë se Kadareja ishte njeri i përmbajtur, i qetë, aspak demonstrativ, çfarë janë ballkanasit. Nuk është për t’u çuditur për dikë i cili ka sajuar aq libra në atmosferën ku ka jetuar duke pëshpëritur dhe i cili i ka mbijetuar diktaturës komuniste. Por, sapo kanë hyrë te ne Kadareja dhe bashkëshortja e tij, Helena, u vendos afria pikërisht në saje të ne të dyjave. Nga çasti i parë ndodhi diçka që më vonë, me rastin e secilit takim, vetëm është thelluar dhe është pasuruar, kështu që ne të dyja jemi si dy motra. Helena, po ashtu shkrimtare pranë një konkurrenti të tillë, është e pranuar në Shqipëri. Në Paris është botuar romani i saj “Gruaja nga Tirana” (i cili ka shumë vjet që është përkthyer në Beograd, por pret momentin e përshtatshëm). Botuesi i njohur francez Fajar i ka botuar kujtimet e saj. (Në Shqipëri ka fituar çmimin si libri më i mirë i vitit.)
Krahas gostisë së zakonshme për raste të tilla, u shtruam në një bisedë të gjallë e cila në fillim, respektivisht gjatë njohjes, ishte për jetën e përditshme, për familjen, ku morëm vesh se kishin dy vajza, më e rritura studionte për gjenetikë, kurse më e reja ndiqte gjimnazin. Pastaj, natyrisht, kaluam në atë që më së shumti na interesonte, në temën kryesore – letërsinë dhe kulturën, – duke konkluduar se kishim interesime të njëjta apo shumë të ngjashme. Në fund edhe për atë që është e paevitueshme – politikën. Kuptuam se, në të vërtetë, mes nesh nuk ekziston kurrfarë armiqësie e veçantë, se kishte shumë më tepër gjëra të cilat na përbashkonin sesa sosh që na ndanin, se lidhjet tona janë letërsia e kultura dhe se mundemi të komunikojmë pa kurrfarë mendimesh e qëllimesh të fundit. Arritëm që edhe të talleshim me disa barsoleta të bashkëshortit tim Zhan, i cili kishte ndjesi në atë fushë. U ndamë si të njohur të mirë të cilët mund të kenë besim te njëri-tjetri. Meqë ishim fqinjë, u morëm vesh që Kadareja të vinte në shtëpinë tonë për intervistë, për shkak të kushteve të volitshme për bisedë serioze, meqë kafenetë zakonisht janë të zhurmshme. Kadareja erdhi së bashku me Helenën në kohën e caktuar. Ajo menjëherë më luti që të përgatisja çaj, meqë nuk e ndiente veten aq mirë. Pastaj Kadareja dhe unë u ulëm pranë tryezës së madhe përplot me libra të tijtë dhe filluam punën. Biseda zgjati dy orë. Kadareja ishte në formë të shkëlqyer dhe unë merrja përgjigje dinjitoze nga një shkrimtar i tillë. Helena tërë kohën dëgjonte me vëmendje dhe askush nuk tha asnjë fjalë. Kur biseda u krye, ajo tha: “Branka, për herë të parë dëgjova pyetje të duhura, bisedë të njëmendtë letrare, që më bëri qejfin, që më pëlqeu dhe tani jam shumë më mirë. Një pjesë të mirë të ditës e kam kaluar te botuesi ynë Fajar, duke dëgjuar gazetarët të cilët i shtronin pyetje Kadaresë, nga të cilat më vinte neveri.
Nganjëherë të pavenda, provokuese, tregonin mosnjohjen e gjendjes reale. Në të vërtetë, shihej se edhe nuk ishin të përgatitur që të bisedonin për veprën e tij. Prandaj kërkova edhe çaj, që të këndellesha.” E unë, pas të gjithave, i isha shumë mirënjohëse redaktorit maqedonas të Mlad Borec që për shkak të insistimit të tij dashamirës njoha një shkrimtar të tillë. Takimin e përjetova si një dhuratë të madhe shpirtërore. Sikur të mos ekzistonte insistimi i tyre, sigurisht që do të mbetesha më e varfër për një vepër të madhe letrare, që më ka futur në një botë të panjohur për mua. Me një fjalë, redaktorët e mëdhenj janë ata të cilët dinë të gjejnë edhe tema edhe njerëz të aftë që t’i përpunojnë. Atë bisedë së pari e dërgova në revistën maqedonase dhe pas botimit, doli edhe në Knjizhevne novine të Sarajevës, të cilën e redaktoi një djalosh shumë i talentuar, me mbiemrin Aznavur, i cili kishte arritur të kalonte në Pançevë dhe aty i humbet çdo gjurmë. Ai ka botuar shumë biseda të miat me shkrimtarë rusë. Duke u përgatitur për intervistë, kuptova për golgotën përmes së cilës është dashur të kalosh në atë diktaturë të zezë dhe nga çfarë dredhish është dashur të përvidhesh për të ruajtur veprën.
Mirëpo, pasi intervista qe botuar në Knjizhevne novine në Sarajevë, Miodrag Perishiq, atëherë kryeredaktor i Knjizhevne novine të Beogradit, në revistën e vet e shkroi edhe këtë: “Me veçantinë e tij shoqërore në diktaturën e Hoxhës (shkrimtar oborri), praktikisht ka qenë njeri nga shtyllat e sistemit.” Përfundim sigurisht i gabuar, kur merret parasysh se nëpër çfarë ka kaluar Kadareja. E të mos flitet për përgjimet, drojën nga bastisjet policore. (Helena në besim më ka treguar se biseda të rëndësishme është dashur t’i zhvillonin në tarracë, sepse e tërë shtëpia (apartamenti) ishte e stolisur me mikrofona përgjimi.) Nga apartamenti i është rrëmbyer dorëshkrimi i poemës ‘Pashallarët e kuq’, e humbur përgjithmonë në arkivat policore. Janë ruajtur vetëm disa vargje, të cilat i kishte mbajtur mend: “Mjaft me këtë qeshje dashamirëse/ Burokratët janë tjetër gjë/ Jo me bojë pelikan përjargur/ Si tuhafë të këndshëm ho, ho, ho/ Por të kobshëm me duar të përgjakura”. Është interesante se edhe studentët tanë në vitin 1968 në Beograd, kur kishin kuptuar se kush e çfarë ishin komunistët dhe u revoltuan duke krijuar liri më të mëdha, pushtetmbajtësit i quanin princër të kuq.
Edhe studentët tanë, si edhe Kadareja, e paguan atë trimëri semantike në mënyra të ndryshme, madje edhe me gjak. Romani i tij Pallati i ëndrrave, gjithsesi, është ndër romanet më të rëndësishme të kohës sonë për totalitarizmin. Tregimi më i trishtë për atë epidemi dhe preokupimin kryesor – frikën nga komploti. Kohë të gjatë kam dëshiruar ta rrëfej tregimin për botën e cila përjashton çfarëdo logjike. Në gjysmën e librit kam kuptuar se kjo ishte si në ferrin e njëmendtë, ku është fjala për ëndrrat –në atë ferr dikujt i kishte rënë ndër mend që t’i rrëmbente edhe ëndrrat njerëzore, që t’i kontrollonte edhe gjatë ëndërrimeve, pikërisht ashtu siç bëjnë burokratët në realitet. Është ky libri për ankthin, mërzinë, vuajtjet në diktaturë. Sigurisht që nuk do ta shkruaja kurrë sikur mos të jetoja në një vend të tillë. Nuk jam nisur nga asfarë analogjie, nuk e bëj letërsinë me analogji, por kur kisha përparuar dukshëm në shtrimin dhe shkrimin e librit, qartazi shfaqej diktatura bashkëkohore, terrori dhe ajo fajnia, e cila na ishte qepur, e duke mos ditur as vetë pse jemi fajtorë, pse na përcjellin, pse mund të na burgosin ose pse mund të na lirojnë, pse duan të na zhdukin. Ngjarja zhvillohet gjoja në të kaluarën e largët, mbretëritë e vendeve lindore. Në të vërtetë, kjo ishte jeta jonë e përditshme nën sundimin e Hoxhës ose nën komunizëm. Kur u njohëm edhe më shumë, Kadareja më ka dhënë edhe disa intervista, varësisht nga ngjarjet. Ashtu, në të njëjtin çast kur u dogjën kishat në Kosovë, ai reagoi dhe ashpër e gjykoi atë vandalizëm.
Dy-tri intervista me të i kam botuar edhe në NIN, atëherë kur intelektualëve serbë para ngjarjeve në Kosovë u kishte ofruar dorën që të përpiqej t’i afronte popujt, por atë dorë të shtrirë askush nuk e kishte pranuar. Bisedat pastaj janë botuar në Vijesti, Nasha Borba, sa më kujtohet edhe në Monitor. Një bisedë është botuar në Knjizhevne novine kur Perishiqi nuk ishte më redaktor, në mars 1992, me titullin “Jam i gatshëm që të udhëheq dialogun”. Një bisedë shumë interesante me bashkëshorten e tij, Helenën, është botuar në Pobjeda, madje në shtatë vazhdime. Miqësia me atë është thelluar aq shumë, saqë vizitat e rregullta për ne të dyja janë shumë të rëndësishme. Por edhe si çift bashkëshortor ata janë të mrekullueshëm. Helena është e lindur në familje ortodokse dhe është besimtare e madhe, në dhomën e vet mban ikona të vjetra, ndërsa Ismaili, i lindur në familje myslimane, nuk është fare i ngarkuar me religjionin. Asnjëherë nga ata nuk kam dëgjuar për ndarje në myslimanë e ortodoksë në këta 25 vjet që kur njihemi dhe ndarje të tillë nuk ka as në librat e tyre. Në kujtimet e saj religjioni nuk përmendet dhe as që bëhet fjalë për ardhjen, pas martesës, në shtëpinë myslimane. Nuk mundem pa përmendur në fund edhe rrëfimin për miqësinë e Danilo Kishit me Kadarenë, të cilën ky i fundit ma rrëfeu:
“Danilo Kishin për herë të parë e kam njohur në takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve në Athinë, më 1984. Vetëm sa kisha mbërritur në hotel me një shkrimtar shqiptar me prejardhje greke, kur dikush m’u drejtua: ‘Mirëdita, unë jam Danilo Kish, jugosllav. E di se ju jeni Kadare. A doni që të bisedojmë pak, nëse nuk keni paragjykime?’ Me shumë kënaqësi, i jam përgjigjur, se në raport me shkrimtarët jugosllavë nuk kam kurrfarë paragjykimesh. Ashtu kemi drekuar në një atmosferë të shkëlqyeshme. Më tha se e kishte lexuar librin Varreza për Boris Davidoviqin dhe disa të tjerë. Gjatë shëtitjes me anije Danilo dhe unë pothuaj tërë ditën e kaluam duke u shoqëruar, derisa shkrimtarët e tjerë, duke i njohur relacionet mes Jugosllavisë e Shqipërisë, sidomos shkrimtarët francezë, na thumbonin: ‘Si armiq deri në vdekje e të jenë të pandashëm?’ Ndaj kësaj vërejtjeje vetëm kemi qeshur. Përndryshe, ai ishte përfaqësuesi i vetëm i Jugosllavisë. Nuk e mënjanuam asnjë temë, as atë të Kosovës, as urrejtjen serbo-shqiptare, kur më tha me besim se, ‘për fat të keq, me miqtë e mëdhenj jam prishur për shkak të Kosovës, atëherë kur ua tërhiqja vërejtjen që për ta (shqiptarët) të mos flitet keq në shtëpinë time’. Kurse ata nuk e kuptonin se çfarë ndodhte vërtet.
Danilo ishte njeri shumë i emancipuar dhe i arsimuar, me botëkuptime e vizione të gjera për botën. Ma dha numrin e telefonit të tij të Parisit dhe sapo mbërrina, iu lajmërova. U çudita nga ndryshimi i zërit të tij, zë i njeriut në hall. Danilo, a je mirë? ‘Jo, jam shumë keq’. Më çuditën fjalët e tij dhe kuptova se ishte fjala për diçka serioze. Mos po tallesh? ‘Jo, kam kancer dhe pikërisht jam operuar’. Në të njëjtën mbrëmje erdhi Paskali në hotelin tim, kurse unë isha me gruan time, Helenën. Më ka treguar, ndërsa ka qëndruar në SHBA, se i ishte drejtuar mjekut duke supozuar se bëhej fjalë për ndonjë grip dhe kur ai e kishte pyetur se sa kohë thithte duhan, menjëherë e kishte kuptuar gjendjen reale. Në dëshpërimin e tij u përpoqa që ta inkurajoja. Atëherë ma tha një gjë të trishtë: ‘Kur e kam filluar librin ‘Enciklopedia e të vdekurve’, kam pasur parandjenjë se vdekja do të më hakmerret. Asgjë askujt nuk i kam thënë, vetëm kam vazhduar me shkrimin. Por sapo mjeku më kishte kumtuar se kisha kancerin e mushkërive, mendimi i parë i cili më kaloi nëpër mendje ishte se Libri më është hakmarrë.’ Kam thënë se të gjithë kemi parandjenja të tilla, por ato të tijat fatkeqësisht janë dëshmuar të vërteta. U ndamë. Shkova për në Shqipëri. Sërish ishim bashkë në Lisbonë, kur edhe zëri i tij krejtësisht kishte ndryshuar. Më kujtohet, kurdo që jemi shoqëruar, tallej gjithnjë dhe ishte me humor të mirë. Herën e dytë kur kam ardhur në Francë dhe e thirra në telefon natën vonë, askush nuk u përgjigj.
Gjatë ditës e kam kërkuar edhe disa herë, po ashtu pa përgjigje. E çuditshme! Bëja pyetje: Çfarë do të thotë kjo? Të nesërmen dëgjova në radio ‘Ka vdekur Danilo Kish’. Ishte i lajm trishtuar. Ishte shumë i rëndësishëm për mua, kam ndër kujtimet më të mira e më të paharruara me të. Sharmant dhe i gëzuar, e donte jetën. Në bisedat tona për çdo gjë flisnim, prandaj të pashmangshme ishin edhe temat për gratë, temë me të cilën ka ditur të bënte shaka. Ishim miq të mëdhenj. Menjëherë kam shkruar tekstin për shtypin shqiptar, tekstin e parë te ne i botuar për ndonjë shkrimtar jugosllav. Danilo vdiq pikërisht kur ishte më i nevojshëm për Gadishullin Ballkanik.” Ajo që tani më imponohet, është njohuria se unë dhe Danilo kishim të drejtë që i ishim drejtuar Kadaresë edhe si një shkrimtari të rëndësishëm ballkanas dhe si fqinjit. Ndoshta do të jetonim në një paqe shumë më stabile kur do të viheshin marrëdhënie me fqinjët tanë dhe dialog pa paragjykime. E tërë kjo që u tha dëshmon pikërisht atë se është e mundshme miqësia mes nesh.
*Fragment nga libri më i ri i publicistes Branka Bogavac, botuar nga Narodna Knjiga & Miba Books, Beograd, 2019 Zgjodhi dhe përktheu: Smajl Smaka. Marrë nga “Exlibris”.