Nga Artur Nura
Ndërsa ishim për një drekë familjare në njërin prej restoranteve më të mira të Tiranës, në mënyrë krejt të papritur njëri nga zotërinjtë në tavolinën përballë u ngrit duke bërtitur kundrejt tjetrit që kishte në tavolinë.
– Të kam trajtuar si vëlla! Të besova në gjithçka dhe ti… – tha zotëria me sa kishte në kokë dhe u largua si rrufe nga restoranti. Ndërsa tjetri po rrinte i bykosur dhe të gjithë po e shihnin me habi. Fytyra e zotërisë së mbetur vetëm tregonte se ai ishte gjendur shumë i habitur nga ajo situatë dhe sikleti i shquhej lehtë…
Sipas përshtypjes sime personale, ai zotëri kishte siklet ndaj mikut, i cili e kishte habitur me reagimin e tij fare te papritur dhe jo sepse të gjithë në restorant po e shihnin duke harruar pjatat…
Ky perceptim tek unë erdhi edhe për shkak të portreteve të ndryshme të zotërinjve që tregonin se njëri vinte nga jashtë dhe tjetri ndoshta nga ndonjë zonë e thellë. Besova apriori se ata i kishin ndërtuar marrëdhëniet e tyre mbi bindje krejt të ndryshme dhe si pasojë duhet të kishin pasur edhe pritje të ndryshme mbi të njëjtën marrëdhënie…
Kjo skenë më kujtoi se shumë prej këtyre marrëdhënieve në shoqërinë tonë, si në ato publike, ashtu edhe private, janë të ndërtuara në mënyra krejt iracionale. Rastet e fyerjes së individit për një fjalë goje, për një metër tokë, për një shikim të shtrembër, për një gjest, të cilat përfundojnë edhe në gjakmarrje deri brezash nuk mungojnë…
Ndoshta ndërtimi i marrëdhënieve midis njëri-tjetrit në mënyrë iracionale mund të jetë një nga shkaqet e rëndësishme që e mban fenomenin primitiv të gjakmarrjes akoma të gjallë sot në shekullin 21…?
Shok, shoqe apo zotni zonjë…?
Besoj se sigurisht që duhet reflektuar për marrëdhëniet midis individëve në shoqërinë tonë duke parë të shkuarën të tashmen për një të ardhme më racionale! Pyetja që mund të shtrohet me këtë rast është si është më mirë t’i drejtohemi tjetrit: vëlla, motër, mik, zotni apo zonjë?
Në fakt, mënyra me të cilën i drejtohemi tjetrit është pa dyshim një moment socio-emocional dhe kulturor. Ajo lidhet me formimin e individit dhe shoqërisë përkatëse e tregon një relacion të caktuar të zhvillimit social-politik dhe kulturor të individit në raport me shoqërinë.
Ky relacion në historinë e shoqërisë shqiptare ka ndryshuar sipas etapave të caktuara historike dhe kulturave të cilat dihet botërisht që këtu janë përzier në mënyrën më mikse të mundshme. Kjo duhet të jetë një nga shkaqet që individi psiko-social shqiptar gjendet konfuz herë pas here.
Mund të kujtojmë këtu që përreth katër dekada individit iu imponua mënyra e të drejtuarit tjetrit me emrin cilësor shok dhe shoqe. Kjo, nën filozofinë shumë humane veç në letër, komunisto-socialiste të barazisë midis njerëzve dhe njëri-tjetrit.
Ky koncept vinte nga kulturat evropiane të ndryshme social-nacionaliste, si bie fjala ajo italiane ku tjetri thirrej: “compagno” që parimisht do të thoshte të ndash edhe bukën me tjetrin, ose ajo gjermane “comrade” që do të thoshte të ndash edhe hapësirën e dhomës me tjetrin!
Në shqip, ky koncept u konvertua në shok me të cilin duhet të ndaje shoqërinë dhe idealet politike dhe ideologjike. Në fakt, këto teori utopiste pa dyshim që dështuan deri në degjenerim të asaj filozofie për të cilën u ndërtuan…!
Vëlla, motër apo mik, mike…?
Së fundi, pa dyshim në Shqipëri, të paktën publikisht, i drejtohemi tjetrit me emrat cilësor zotni, zonjë dhe pa dyshim që me këtë akt i japim vetes dhe miqve më shumë dinjitet dhe respekt njerëzor!
Pa dyshim kur i drejtohesh tjetrit zotni apo zonjë tregon për një konfidencë diskrete midis personave dhe për marrëdhënie serioze dhe pa konfidenca të tepruara. Por, në jetën miqësore dhe private ndodh jo rrallë që i drejtohemi njëri-tjetrit edhe me emrat cilësorë si vëlla dhe motër.
Në të tilla raste pa dyshim që në kërkojmë që tjetrit t’i japim një konfidencë shumë më të madhe se ajo që ai, ajo, duhet të ketë në të vërtetë. Ndoshta edhe rasti i përmendur në fillim të këtij shkrimi i gjen bazat e tij pikërisht tek tepricat emocionale që ndërtojmë kur afrojmë tjetrin më shumë se ai është në të vërtetë.
Personalisht, besoj se do ishte më mirë që t’i drejtoheshim tjetrit me emrin cilësor mik dhe mike, sepse kështu do të ishte më racionale dhe më afër realitetit njerëzor shumëplanësh. Gjykoj se në raportet midis njerëzve një përqindje e caktuar dhe domethënëse është raport interesash të ndryshme. Kjo bën që duke e afruar tjetrin më shumë se çka është dhe meriton, ne padashur ndërtojmë marrëdhënie iracionale të cilat në një moment të caktuar përfundojnë deri në acarim…
Askujt prej nesh nuk i ka ndodhur të dëgjoj[: “E kam pasur vëlla, motër…, por sigurisht që herë pas here kemi dëgjuar dhe ndoshta jemi shprehur që atë x person e kam pasur shok, shoqe, mik, mike e kështu me radhë!
Marrëdhëniet e tilla në shoqëri në zhvillim siç edhe është kjo jona, pa dyshim që e ndërlikojnë çdo raport midis dy vetëve dhe për më tepër, kur kemi të bëjmë me natyra sanguine si kjo jona.
Duke u dhënë këtyre marrëdhënieve emrat cilësor[ që u takojnë, pa dyshim që do të kemi edhe fillimin e një perceptimi psiko-emocional më afër realitetit dhe më shumë kulturë racionale e cila do të sillte marrëdhënie më dinjitoze midis njerëzve…