Home KRYESORE Dhe ti…Nga Gladiola Busulla

Dhe ti…Nga Gladiola Busulla

Dhe ti…
Le të themi që triumfove në karrierë,
Me duzina çmimesh që shtyheshin njëri pas tjetrit.
Dhe ti…
vazhdoje të bëje dashuri me hijen tënde,
e ngrije dolli me trofetë që të stolisnin
zbrazëtinë e shpirtit.

Kur ninëzat e syve të saj
Prej Monalize,
Të ftonin të kridheshe në melankolinë e tyre.
Dhe ti…
gëlltisje si hape gjumëndjellëse
Muzgjet e bruzta dhe agimet e purpurta.
Me gjakftohtësinë e një mizantropi.

Dhe ti…
harrove se në jetë
dhembjet ndahen së bashku.
Dhe fitoret gjithashtu.

Dhe ti…
Përplasje fort derën
Pas shpinës së saj
Pa thënë një “mirëmbetsh”, as një “lamtumirë”
Dhe ajri bëhej i cingërimtë.

Dhe ti…
Mbete vetëm me mungesën e saj
Që ngjan me nënkresën e akullt
Të një nate të pambarimtë.

Dhe ti …
Po sheh
Se si trofetë e tu
njëri pas tjetrit po bien …
Të sendërtuar
në një grusht mizash
trupeshpirt përqethëse.

Dhe ti…
Ke humbur jetën,
veten,
dashurinë…
(Stromstad – Suedi 10 gusht 2019)

Share: