Home KRYESORE Emrat/ Arrestohen tre persona për pengmarrjen në Kamëz, çfarë dyshohet

Emrat/ Arrestohen tre persona për pengmarrjen në Kamëz, çfarë dyshohet

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me pengmarrjen e Jak Prengës në Kamëz. Mësohet se policia ka arrestuar tre persona të identifikuar si Bajram Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.

Po ashtu në kërkim është shpallur Leonard Hajri dhe 6 persona të tjerë. Policia ushtroi kontrolle në kompleksin e familjes Hajri, ku sekuestroi armë zjarri.

Ndërsa “aktori” kryesor i pengmarrjes, mësohet se është Altin Hajri, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe amerikane, i cili ende nuk është arrestuar, duke u shpallur në kërkim.

Dyshohet se ngjarja lidhet me një sasi prej 60 kg kokainë. Sasi kjo që, sipas Policisë, ishte marrë në dorëzim nga njëri prej vëllezërve të Prengës, i cili për shkak se u arrestua në Londër, në vitin 2017, nuk arriti t’ua dorëzonte personave që ia kishin besuar.

Pengmarrja

Që pas verifikimeve të para që u kryen pas pengmarrjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, Policia u orientua te konfliktet që 48-vjeçari nga Puka mund të ketë pasur në Greqi ose dhe te rekordet kriminale të njërit prej vëllezërve, i cili vuan dënimin për drogë në Angli. Policia ka dyshime se pengmarrja mund të jetë një lloj presioni që autorët e dyshuar duan t’iu bëjnë vëllezërve të Prengës.

Kjo dhe për faktin se ai u mor peng pikërisht pranë banesave të vëllezërve në Kamzë, në rrugën “London”, teksa shkonte të kujdesej për to. Në Polici, familjarët e 48- vjeçarit, baba i 3 fëmijëve, nuk iu kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me konfliktet që ai mund të ketë pasur gjatë punës së tij si emigrant në Greqi apo ndonjë dyshim për konflikte që kanë shkak rekordet kriminale të vëllait të dënuar për trafik droge në Angli.

Jan Prenga u mor peng mesditën e datës 17 janar nga 2 persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një makinë “Range Rover” të bardhë. Polica, nëpërmjet kamerave të sigurisë, gjurmoi lëvizjet e tyre deri në hyrje të FushëKrujës. Më pas, një makinë e ngjashme u gjet e djegur.

Fillimisht, ai u dhunua fizikisht e më pas dy autorët e morën peng, duke u larguar me shpejtësi me një automjet dhe pas lanë vetëm disa njolla gjaku në asfalt. Ngjarja ndodhi në orën 11:44, në rrugën “London”, në Kamzë, të Tiranës. Policia është lajmëruar nga dëshmitarët për ngjarjen e ndodhur dhe shërbimet kanë shkuar me shpejtësi në vendin ku kishte ndodhur konflikti e më pas edhe pengmarrja./ Opinion.al

Share: