Home KRYESORE Gjyqi kundër Trump dhe argumentat e nxehta të palëve

Gjyqi kundër Trump dhe argumentat e nxehta të palëve

Ligjvënës demokratë, aktorët kryesorë të procesit që synon shkarkimin e Presidentit dhe anëtarë të ekipit ligjor të zotit Trump, debatuan në distancë të dielën lidhur me atë nëse përpjekjet e Presidentit për të nxitur Ukrainën për të nisur një hetim nga i cili mund të përfitonte politikisht, përbënin shkelje që të nivelit që parashikon Kushtetuta për shkarkimin e një presidenti.

Gjyqi në Senat ndaj zotit Trump u hap zyrtarisht javën e kaluar dhe të martën do të dëgjohen argumentet hapëse të palëve. Por ndërkohë përfaqësuesit e ekipit ligjor të Presidentit me komentet e tyre në media të dielën, dhanë një shije të asaj që pritet në Senat.

Avokati Alan Dershowitz, një prej anëtarëve të ekipit që do të mbrojë zotin Trump tha për CNN-in se ai parashikon të provojë përpara senatorëve se “edhe nëse faktet e paraqitura janë të vërteta, ato nuk ngrihen në nivelin e një vepre që duhet të çonte në ngritjen e akuzave zyrtare ndaj zotit Trump me synim shkarkimin e tij nga detyra”, siç tha ai.

Të 100 anëtarët e Senatit gjatë procesit gjyqësor do të luajnë rolin e jurisë dhe do të vendosin mbi fatin e Presidentit Trump. Ata do të vendosin nëse zoti Trump ka kryer një “krim e kundërvajtje” të atij niveli që parashikon Kushtetuta amerikane për heqjen e një presidenti nga detyra.

Ndërsa gjyqi po afron mbetet e pamundur që Senati të shkarkojë zotin Trump, në kushtet kur shumica e tij përbëhet nga republikanët. Për shkarkimin e presidentit do të duheshin dy të tretat e votave të anëtarëve të Senatit.

Në korrikun e vitit të kaluar zoti Trump i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të nisë një hetim ndaj kundërshtarit të tij më të fortë në radhët e demokratëve për garën e 2020-s, ish-Nënpresidentit Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden.

Telefonata mes dy udhëheqësve ndodhi në të njëjtën kohë që zoti Trump mbante të bllokuar 391 milionë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin, ndihmë që më pas u lëvrua.

Zoti Dershowitz argumentoi se veprimet e zotit Trump nuk përbënin një sjellje kriminale. Ai tha se “nëse argumenti i tij triumfon” dhe Senati vendos se nuk ka pasur ndonjë vepër që mund të çojë në shkarkimin e Presidentit “nuk do të ketë nevojë për dëshmitarë” në gjyq dhe se “Senati duhet të votojë për ta shfajësuar zotin Trump ose të pushojë çështjen kundër tij”, siç tha ai.

Ligjvënësi Adam Schiff, udhëheqësi i grupit prej 7 ligjvënësish demokratë që do të shërbejnë si prokurorë gjatë gjyqin në Senat, tha për televizionin ABC se “faktet nuk po merren seriozisht” duke përmendur ndër të tjera se Presidenti pengoi me qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake për një aleat në luftë me Rusinë.

Të shtunën, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve të cilët po bëjnë presion për dënimin e zotit Trump si dhe ekipi mbrojtës i Presidentit paraqitën argumentat ligjore për këtë çështje.

Ligjvënësit e Dhomës thonë se është e qartë se “provat përcaktojnë plotësisht” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat me të cilat përballet.

Ndërkohë ekipi juridik i zotit Trump e quan përpjekjen e fajësimit të tij “një sulm të rrezikshëm ndaj të drejtës së popullit amerikan për të zgjedhur lirisht presidentin”./ Burimi: VOA

Share: