Home KRYESORE Irani pranon se rrëzoi avionin ukrainas: Shkak, aventurizmi amerikan

Irani pranon se rrëzoi avionin ukrainas: Shkak, aventurizmi amerikan

Irani pranoi të shtunën se kishte qëlluar gabimisht një aeroplan ukrainas duke vrarë të gjithë 176 personat në bord dhe shprehu keqardhjen e tij të thellë, pasi fillimisht e mohoi se e rrëzoi aeroplanin.

Përplasja e së mërkurës ngriti presionin ndërkombëtar ndaj Iranit pas muajve të fërkimeve me Shtetet e Bashkuara dhe sulmeve ushtarake. Tensionet në Lindjen e Mesme u intensifikuan javën e kaluar pasi një sulm me dron i urdhëruar nga Presidenti Trump, vrau një gjeneral iranian në Irak, duke bërë që Teherani të qëllonte me raketa balistike 2 baza ushtarake të SHBA të mërkurën.

Kanadaja, e cila kishte në bord 57 qytetarë dhe Shtetet e Bashkuara kishin thënë se ata besonin se një raketë iraniane rrëzoi aeroplanin edhe pse ata thanë se ishte ndoshta një aksident. Ministri i jashtëm i Kanadasë i kishte thënë Iranit “bota ju shikon”.

Ukraina ishte treguar më e kujdesshme në shpërndarjen e fajit, por tha se kishte rënë dakord me Kanadanë që të nxiste një hetim objektiv.

“Republika Islamike e Iranit shpreh keqardhje të thellë për këtë gabim katastrofik,” shkroi Presidenti iranian Hassan Rouhani në Twitter. “Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë në të gjitha familjet në zi”.

Shumë nga viktimat ishin iranianë me kombësi të dyfishtë.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif shkroi në Twitter se “gabimi njerëzor në kohën e krizës së shkaktuar nga aventurizmi amerikan çoi në katastrofë”, duke përmendur një hetim fillestar të forcave të armatosura për rrëzimin e Boeing 737-800.

Një deklaratë ushtarake iraniane, e cila ishte e para që tregoi kthesën e Iranit, tha se aeroplani kishte fluturuar pranë një zone të ndjeshme ushtarake që i përkiste rojeve elitare Revolucionare.

Ai tha që, në atë kohë, aeroplanët ishin vërejtur në radarë afër vendeve strategjike që çuan në “ndjeshmëri më të lartë brenda sistemeve të mbrojtjes ajrore”, duke shtuar se palët përgjegjëse do të referoheshin në një departament gjyqësor në ushtri. /Opinion.al

Share: