Home KRYESORE Kodi i Faljes dhe Kodi i Burrërisë

Kodi i Faljes dhe Kodi i Burrërisë

Nga ARTUR NURA

Për sa na bën me dije kronika e zezë televizive në shumë raste, për një fjalë apo zënke të caktuar, mjaft vetëve u është marrë nga dhuna edhe vetmja gjë e pakthyeshme, Jeta! E njëjta histori duhet të jetë përsëritur për të mijtën herë edhe në Peshkopi, kur një klient, i zoti i një lokali i ka marrë jetën…

Kjo ndodh në fakt kur të dy palët në përplasje të caktuara qëllojnë “Burra” dhe më i forti fiton… Në fakt, ka edhe një “fjalë të urtë” në kulturën tonë popullore, e cila thotë pak a shumë: “Burgu për burra është…!”.

Askush nga këta burra nuk llogarit që përveç heqjes së lirisë për veten e tij, ai dëmton edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, gruan, prindërit dhe jo në pak raste edhe fëmijë të parritur, të cilët duhet të përballen me jetën e vështirë dhe të rendin pas të bërit burrë…

Në fakt, Kodi i Faljes ose i thënë ndryshe i Mençurisë duhet të ketë qenë pak i përhapur në historinë e shoqërisë shqiptare dhe ai duket se është përplasur me Kodin e Burrërisë, i cili ka mbizotëruar në shekuj, pse jo në forma të ndryshme deri në ditët e sotme…

Padyshim që të dyja këto institucione të ndërtuara nga vetë populli kanë pasur rolin e tyre, i cili duhet të ketë ardhur si nevojë. Ai i Burrërorit duhet të ketë mbizotëruar edhe për shkaqe më shumë imperative, ndërsa shoqërisë dhe individit i është dashur t’u mbijetojë shumë dyndjeve ushtarake dhe kulturore.

Apriori besoj se nuk ka si shpjegohet ndryshe edhe fakti që gra të caktuara për të mbijetuar dhe marrë detyrimet e duhura familjare braktisnin natyrën e tyre femërore, për t’u bërë burrnesha! Nga ai moment visheshin dhe silleshin si të tillë dhe jetonin po ashtu…, padyshim duke fshehur dramën e brendshme biologjike dhe shpirtërore!

Burri për shkak të fizikut të tij më të fuqishëm ka dominuar edhe jetën familjare dhe atë shoqërore, duke treguar qartë se si ndërtoheshin raportet familjare dhe shoqërore gjatë atyre viteve të gjata!

Një ngjarje e shumë viteve më parë...

Për fat të keq e gjitha kjo histori përkthehet në filozofinë e më të fortit dhe jo më të urtit! Personalisht duke iu referuar një proverbi italian që thotë se të “Kuptosh do të thotë edhe të falësh”, mendoj se përgjithësisht ne nuk e kemi kuptuar tjetrin, por e kemi paragjykuar atë deri sa vjen momenti dhe ndodhemi vetë në anën e viktimës!

Para disa kohësh ndërsa po shihja një invalid tek lëvizte me karrocën e tij motorike, fytyra e tij e përulur m’u duk e njohur! Mosnjohja me të cilën ai ju përgjigj kundrimit tim, më bëri të besoja se isha gabim…!

Por sapo e lashë pas vetëm disa metra, u kujtova menjëherë se atë fytyrë të përunjur e kisha parë shumë vite më parë kur vështrimi i tij ishte krenar dhe ai ndjehej gjithkushi! Menjëherë, sikur të kishte ndodhur vetëm një ditë më parë, m’u kujtua se dikur kisha gërvishtur pa dashje një automjet luksoz, i cili kishte parkuar me bllokazh të ndezur pranë rrugës së bar kafe “Flora”!

E para gjë që bëra ishte ndezja e sinjalit të ndalimit të automjetit tim për të verifikuar dëmet dhe për të marrë përgjegjësitë e duhura! Pa ndaluar mirë, katër djem të bëshëm më vijnë me vrap duke sharë dhe kërcënuar! I them që ndalova për të parë dëmet dhe nëse nevojitej të thërrisnim policinë dhe mbanim procesverbalin e duhur që të ç’dëmtoheshin!

Filluan bërtitjet dhe për të treguar forcën pati edhe fyerje! Duke ruajtur qetësinë me mjaft mund, por si rruga e vetme më racionale për momentin, u thashë më thoni sa ju bën dëmi dhe do t’ju paguaj dhe ashtu bëra…

Atë ditë dhe në ato momente m’u kujtua filozofia migjeniane, kur dëshiron t’i biesh malit me grushte dhe ta shembësh që edhe ai ta kuptojë së çfarë do të thotë të jesh i dobët dhe i pamundur!

Sot gjykoj krejt ndryshe dhe se është më mirë të jesh i drejtë se i fortë! Jetëgjatësia e së drejtës vdes me ty, kurse ajo e të fortit mundet edhe shumë më përpara!

Njëri prej atyre djemve që ishte edhe më trupmadhi dhe që ishte më i ashpri, tashmë gjendej në një karrocë invalidi dhe unë që nuk i kisha harruar aspak fytyrën, tashmë pas kaq vitesh po e shija me shumë keqardhje!

Të kuptosh të drejtën e tjetrit…

Në fakt, të nesërmen e saj dite, ndërsa ia tregoja këtë histori me indinjatë një miku tim, i cili është i njohur në kryeqytet si nga të fortët e Tiranës, ai më pyeti nëse ja kisha marrë targën që të shkonim dhe t’ua tregonim qejfin… I bindur që ishte i aftë për ato që thoshte, i vendosur ju përgjigja që nuk nevojitej! Sot gjykoj se kam bërë mirë që nuk e lejova veten në mbështetje të Kodit të Burrërisë, por me atë të Faljes!

Në fakt, ndërsa kujtoj përçmimin që i bëri miku im sjelljes sime, më vjen në mendje një tjetër mike imja skoceze, të cilën pas diplomimit në Jurisprudencë nuk e kishin pranuar në një vend pune vetëm për shkak të sëmundjes së diabetit! Ajo thotë se vetëm nga ai moment e kishte kuptuar se çfarë do të thoshte persekutim për një cilësi apo aftësi të caktuar fizike, e cila nuk varet prej teje!

Kjo histori e thjeshtë më duket shumë domethënëse. Jam i bindur që individi që sapo përmenda e ka kuptuar moralin e kësaj historie dhe do ketë mësuar të falë padyshim!

Shpresoj që shumica tjetër ta kuptoj atëherë kur duhet dhe shoqëria jonë të emancipohet më shumë…

Share: