Home KRYESORE Nëse duam që jashtë të ndryshojë diçka le të fillojmë të ndryshojmë...

Nëse duam që jashtë të ndryshojë diçka le të fillojmë të ndryshojmë brendinë tonë

Jashtë nuk ka ndryshuar asgjë …

Nga Dom Gjergj Meta

Nëse hidhni sytë nga dritarja apo në rrugë nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me 2019. Të njëjtat rrugë, të njëjtët persona. Shumë janë kthyer në punë tashmë. Pas pak studentët e nxënësit kthehen në shkollë, në të njëjtën shkollë, me të njëjtit mësues. I njëjti burrë e njëjta gru përballë njëri-tjetri ashtu si në 2019 me sfidat e përditshme.

Ndryshe nga sa kishim premtuar tashmë në 24 orët e para të 2020 kanë filluar edhe gabimet e para. Dhe nuk do të ndryshojë asgjë.

Po po! Nuk do të ndryshojë asgjë, derisa mos të ketë ndryshuar shikimi ynë mbi realitetin dhe veten tonë e sidomos nëse dëshirave dhe ëndërrave tona nuk fillojmë t’u hapim themelet e të vendosim gurë në këtë themel.

Po ç’punë ka shikimi këtu?

Shumë projekte vazhdojnë, të tjerë i nisim nga e para, por ka shumë rëndësi si i shohim, me ç’shikim.

Sytë tanë janë pasqyra e brendisë tonë. Ne nuk shohim çka është jashtë nesh realisht, nëse brendia jonë është rrëmujë. Nëse brendia jonë mbart shpresë, ashtu do të jetë edhe shikimi ynë, nëse brendia jonë është e trishtë ashtu do të jetë edhe shikimi ynë, nëse brendia jonë është e mjegullt, ashtu do të jetë edhe shikimi ynë. Jo se shikimi ndryshon realitetin, por kur brendia jonë është e motivuar ne e shohim realitetin në perspektivë dhe të mundshëm për t’u ndryshuar për mirë.

E gjithë puna fillon brenda nesh, aty ku banojnë mundësitë tona. Shpesh shohim e themi se jemi të pafuqishëm përballë të keqes e se duhet të ndryshojë diçka jashtë që të jemi më mirë. Por kjo nuk do të ndodhë, derisa brenda nesh do të jemi rrëmujë e në kaos.

Nëse duam që jashtë të ndryshojë diçka le të fillojmë të ndryshojmë brendinë tonë. Ajo do të ndryshojë shikimin tonë e kështu realiteti do të jetë ndryshe, së paku i përmirësueshëm.

Ditë të bukur të gjithëve!

  • dom Gjergji
Share: