Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Nuk ka më anë oxhaku, hierarki mendimdhënie…

Nuk ka më anë oxhaku, hierarki mendimdhënie…

Nga Dom Gjergji Meta

Sot çdo njeri me pak shkollë, që ka një smartphone në dorë, mund të shkruajë, të japë opinione, të thotë të veten ashtu si i vjen. Përreth “sofrës” virtuale janë ulur të gjithë dhe të gjithëve u duket se kanë për të thënë diçka. Nuk ka më anë oxhaku, hierarki mendimdhënie dhe çdo njeri mendon se ka të drejtë të japë mendim.

Askush nuk ka të drejtë të thotë: “ti mos fol”! Akoma nuk kemi arritur demokracinë reale, por jemi shumë përpara në atë virtuale.

Kësisoj mendimi serioz duhet të gjejë “hapësira” të tjera që të zërë vend, përndryshe do të humbet në sheshimin që i bën bota virtuale.

Arratia e mendimit autentik është sot e nevojshme, madje detyrë e atyre që mendojnë seriozisht. Nuk mund të ulet mendja e thellë, shpirti kundrues, mendimi i guximshëm përkrah doctor spin-ëve të mediave, gjithfarë llafollogu rrjetesh sociale, apo analfabeti funksional që popullojnë virtualen.

Duhet një katarsis që fillon nga vetja e kthehet në një vaksinë kundër banalitetit me të cilin janë mbushur kthinat e botës virtuale. Për këtë katarsis duhen dy gjëra: lexim dhe heshtje. I pari të pasuron ndërsa e dyta shoshit çfarë ke lexuar duke hedhur tej kranet e duke mbajtur çka vërtet shërben.

Ditë të mbarë!

Share: