Home KRYESORE Pyetja pse pranuan Gjiknurin, Basha godet tavolinën: Nuk ka amnisti!

Pyetja pse pranuan Gjiknurin, Basha godet tavolinën: Nuk ka amnisti!

Duke theksuar se pas miratimit të reformës zgjedhore, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ato lokale në një ditë kreu i PD-së ka akuzuar qeverinë se nuk e do këtë reformë.

Reagimi, duke goditur me dorë edhe tavolinën, erdhi pasi gazetarët e pyetën për marrëveshjen e bërë me përfaqësuesin e PS-së, Damian Gjuknuri, i cili ishte një nga kushtet e opozitës për ta çuar në burg.

“Teza që u legjitimua Damian Gjiknuri është e dalë nga kancelaria e qeverisë dhe e shpërndarë prej tij. Shqipëria do ndryshojë përmes mekanizmave që ndryshon dhe Europa, që është zbatimi i ligjit. Në kushtet e Bundestagut është dhe fillimi i proceseve zyrtare për ata që kanë manipuluar me votat e shqiptarëve. Nuk ka për të pasur amnisti as për Gjiknurin, për Imer Lalën, as për Gjyshin! Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës, ndaj stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore nuk është gjë tjetër veçse rënie pre e kësaj propagande, synimi është të largojmë Edi Ramën, bandat e Edi Ramës”, tha Basha duke rritur tonet.

“Pavarësisht të propagandës së shfrenuar të atij që e shtyu për 4 muaj reformën, faktet janë këto, reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga parlamenti ilegjitim. Vendimi për reformën zgjedhore do të merret nga dy palë, opozita dhe parlamenti monist bashkë me patericat e veta. Parlamenti do të jetë vetëm noter i kësaj marrëveshjeje”, tha ndër të tjera kryedemokrati.

Forcat kryesore politike arritën të martën një marrëveshje për të realizuar me mirëkuptim reformën zgjedhore deri më 15 mars. Një grup prej 4 anëtarësh, përfaqësues të tre partive kryesore Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ranë dakord për miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike./ Opinion.al

Share: