Nga Dom Gjergji Meta
Diku një virus, diku tërmete, diku luftëra, diku tjetër sëmundje. Janë gjëra që ndodhin qysh se njeriu ekziston madje edhe para se ai të ekzistonte. Do të vazhdojnë të ndodhin përsëri, ashtu sikurse do të vazhdojë të ketë njerëz që lindin, martohen, gëzojnë, ndërtojnë e arrijnë suksese. Kundërshtia është shoqja jonë e jetës.
E vërtetë se kur të dridhet toka nën këmbë ndjen frikë e ndjehesh i pasigurtë. Frika na banon e bashkëjeton me ne. Nuk e dimë si të reagojmë. Thjesht ndjejmë frikë. Frikë se nuk e dimë çka vjen më pas. Kur ndodh që të kem frikë, as unë nuk di të sillem shpesh.
Megjithatë jetojmë në një botë që nuk e krijuam ne, por na u dha. Kemi ardhur në një univers ligjet e të cilit nuk i bëmë ne, por i gjetëm. Nuk njohim shumë nga kjo botë, madje shumë pak, e nuk ka si të jetë ndryshe. Madje nuk njohim as vetë veten tonë.
Sado të mundohemi nuk mund ta rrokim plotësisht kuptimin e jetës e as të vdekjes. Na tejkalon pafundësisht. E në këtë rast ekzistenca, qoftë si jetë njerëzore e qoftë si materie, kthehet në një mister. Për mua ky mister ka një emër dhe është dashuria. Kjo dashuri vjen nga Zoti. Unë këtë dua të besoj dhe e besoj, madje i besohem Atij.
Nuk kam fjalë të tjera vetëm ato të psalmit 23: “Zoti është bariu im asgjë nuk më mungon…Edhe në kalofsha në luginën e hijes së vdekjes s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua…”
Natën e mirë miq! Nuk e di si do të ndjeheni sonte ju që keni provuar frikën nga lëkundjet. Nuk di çfarë tjetër të bëj veçse t’i lutem Zotit për ju të gjithë e të ndjej bashkë me ju.
- dom Gjergji