Home KRYESORE Anashkalimi i betimit të gjyqtarëve te Presidenti, reagon Meta

Anashkalimi i betimit të gjyqtarëve te Presidenti, reagon Meta

Kuvendi miratoi sot me 87 vota pro ndryshimet për mënyrën se si do të betohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryeprokurori.

Sipas këtyre ndryshimeve, Presidenti ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoni betimi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Nëse nuk e bën atëherë gjyqtari e dërgon vetë betimin në Gjykatën Kushtetuese. Po kështu do të veprohet edhe për Kryeprokurorin. Pra roli i Presidentit në këtë proces tashmë është anashkaluar plotësisht.

Lidhur me këtë vendim të Kuvendit është shprehur edhe presidenti Meta. Në një intervistë televizive ai e cilësoi këtë një “marrëzi anti-kushtetuese” dhe një përpjekje “për të dënuar me vdekje kredibilitetin e Reformës në Drejtësi.”

Është lajm kur në parlamentin tonë miratohet ndonjë ligj në respekt të Kushtetutës kështu që nuk habitem që shkelja dhe dhunimi i Kushtetutës është kthyer në një sport mjaft të preferuar të kësaj mazhorance, po kjo është përgjegjësia e saj. 

Nuk dëshiroj të komentoj diçka që nuk e kam lexuar por në vijim të marrëzive që kanë ndodhur herë pas here me zbatimin anti-Kushtetues të Reformës në Drejtësi në kuadër të kapjes totale të Reformës në Drejtësi, nuk habitem që të ketë ndodhur edhe ndonjë marrëzi e tillë. Por unë si president kur të vijë një ligj i tillë do të shprehem në mënyrë zyrtare dhe në mënyrë publike.

Nuk ekziston asnjë mekanizëm ligjor për të rrëzuar Kushtetutën, këto janë përpjekje për të dënuar me vdekje përfundimtare çdo lloj kredibiliteti që mund ti ketë ngelur Reformës në Drejtësi”, tha Meta.

Kuvendi i udhëhequr nga mazhoranca pati një përplasje me Presidentin Meta disa muaj më parë lidhur me emërimin në Gjykatën Kushtetuese të Arta Vorpsit e cila u zgjodh nga Kuvendi. Meta tha se ajo ishte zgjedhur në mënyrë anti-kushtetuese duke mos respektuar radhën e parashikuara në Kushtetutë dhe dekretoi Marsida Xhaferllarin duke mos e thirrur Arta Vorpsin për betim. Kjo e fundit dërgoi tek presidenti betimin e saj të noterizuar por kjo procedurë u injorua dhe nuk u shpall e vlefshme. /Opinion.al

Share: