Home KRYESORE Betohen 10 prokurorë të rinj, caktohen në 8 rrethe të vendit

Betohen 10 prokurorë të rinj, caktohen në 8 rrethe të vendit

Vakanca e krijuara nga procesi i vettingut në gjykatat e prokuroritë e vendit kanë nisur të plotësohen nga magjistratët e rinj. Pas emërimit të 10 gjyqtarëve të rinj disa javë më parë, sot morën detyrën 10 prokurorë të rinj të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2018-2019.

Në një ceremoni të organizuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, prokurorët e rinj u betuan mbi kushtetutë dhe gjithashtu u caktuan nëpër rrethe.

“Që të emërohesh prokuror, kontrollohet pasuria, integriteti, performancë në shkollë. Dhe pas këtij hapi, do t’i nënshtrohen kontrollit rutinë. Në këtë kuadër do të thosha që i kemi kushtet për të pasur prokurorë me integritet dhe profesionalizëm”, tha kreu i KLP, Gent Ibrahimi.

“Ata përfaqësojnë drejtësinë e re të Shqipërisë” ka shkruar në Twitter ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.

Prokurorët e rinj janë caktuar në 8 prokurori të shkallëve të para të rretheve.

Konkretisht, Florian Boriçi emërohet si prokuror në Krujë, Gëzim Spahiu emërohet si prokuror në Shkodër, Ledion Tema emërohet në Berat, Gjergj Ceka emërohet në Korçë, Adnan Hoxha emërohet në Gjirokastër, Ermina Manelli emërohet në Gjirokastër, Pierin Çukaj emërohet në Pukë. Alba Dhima emërohet në Sarandë, Xhoana Mehmetaj emërohet në Dibër, Aurora Hajro emërohet në Sarandë.

Magjistratët e rinj thonë se janë trajnuar për të qenë prokurorë të dalë nga reforma dhe se detyra e tyre është një sfidë për ta. /Opinion.al

Share: