Home KRYESORE DW: Qeveria Kurti – Jo më fjalë por vepra!

DW: Qeveria Kurti – Jo më fjalë por vepra!

Lëvizja VV e konsideruar deri më tani si radikale e majtë do të bashkëqeverisë në Kosovë me konservatoren-liberale LDK.

Për të përmbushur premtimet elektorale dhe për të çuar përpara lipsen kompromise të forta, thotë Vilma Filaj-Ballvora e DW. Fillimi me pengesa për qeverinë e re u shënua sipas analistes, qysh në krye të herës: Votimi në parlament u parapri nga nga bisedime të stërzgjatura koalicioni për çështje personeli mes VV dhe LDK-së.

Qeveria e koalicionit u votua pa praninë e shumicës së partive të opozitës. Nga deputetët e pranishëm 66 votuan pro dhe kjo është e mjaftueshme që Kosova tani të ketë qeverinë e re. Kryeministri i ri është Albin Kurti, ish-rebeli dhe “Enfant Terrible” i dikurshëm i Kosovës. Shkrimi flet për një “epokë të re”, por në varësi të strukturave të vjetra. Në fjalimin e tij para votimit në Parlament, Kurti premtoi qartazi zhvillimin ekonomik, i shpalli luftë të ashpër korrupsionit dhe theksoi, se do t’i përmbahet shtetit të së drejtës dhe rendit. Ai foli për një “epokë të re” dhe njëkohësisht u shpreh i gatshëm për dialogun me Beogradin, por mbi bazën e reciprocitetit në tregti, ekonomi dhe politikë. Objektiva tepër ambicioze! Si do t’i arrijë ai këto mbetet ende e paqartë, thotë Filaj-Ballvora.

Bisedimet e vështira që paraprinë vulosjen e marrëveshjes së koalicionit, u kthyen në dëshminë e qartë se qeverisja nuk do të jetë e lehtë për Kurtin. Në shumë pika LDK-ja dominoi duke e detyruar të bëjë lëshime. Qeveria nuk i ka 12 ministri, siç mendohej në fillim, por 15. VV pretendonte Ministrinë e Brendshme duke parashikuar ta ketë vet nën kontroll luftën kundër korrupsionit. Në fund këtë dikaster e mori LDK-ja. Po kështu ndodhi edhe me postin e kreut të kuvendit. secila parti ka nga gjashtë ministri, ndërsa tri ministri do të drejtohen nga partitë e pakicave kombëtare. Shkaku kryesor i grindjes mes partive të koalicionit kishte të bënte me postin e presidentit, i cili do të zgjidhet vitin e ardhshëm nga parlamenti.

Kjo temë u shty për më vonë. Por pikërisht kjo çështje mund të sprovë e fortë për qeverinë Kurti. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet madje bashkëpunim edhe me opozitën, sepse në Parlament duhet të jenë dy të tretat e deputetëve, të cilët koalicioni në pushtet nuk i ka. Nëse qeveria e re nuk ia del të sjellë në Kosovë hopin ekonomik dhe politik, ajo është e predestinuar të dështojë. Kjo nuk do t’i brengosë partitë e tjera, madje as LDK-në në bashkëqeverisje. Përkundrazi! Reforma rrënjësore në Kosovë është domosdoshmëri dhe VV-ja ka tani shansin të dëshmojë, se është në gjendje ta ndërmarrë atë.

Top Channel

Share: