Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kirurgu i njohur, Arben Beqiri, i është përgjigjur kryeministrit Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu në lidhje me gjendjen e shëndetësisë dhe pajisjeve spitalore.
Në konferencën “Sfidat dhe zgjidhjet në shëndetësi” të organizuar nga fondacioni Konrad Adenhauer, Beqiri kujtoi se shëndetësia në vend nuk lindi në kohën kur në qeverisje erdhi e majta.
“Të dëgjosh kryeministrin që në vitin 2019 apo 2020 të demonstroj vegla të ndryshkura, duke injoruar çdo gjë që është bërë më përpara do të mjaftonte t’i kujtoja që deri ditën që ai flet, vetëm unë që jam një prej kirurgëve kam bërë mbi 10.000 ndërhyrje me laparoskopi.
Që janë një teknologji shumë e lartë e futur në Shqipëri që në vitin 1995. Ta quajmë injorancë? Do të thoja është pak. Por injorancë, apo keqdashje, apo abuzim me fondet publike është kur në vitin 2020 t’i blen pajisje për sallën më të mirë të QSUT që e trumpeton me aq triumf.
Të blesh pajisje 20 vjet të vjetra. Të një teknologjie që kur është prezantuar është prezantuar si e vitit 2020. Teknologji që qytetarët pretendojnë ta kenë shumë herë më të mirë në shtëpitë e tyre. Kjo është e vërteta. Ky është problem”, tha Beqiri.
Sipas kirurgut, largimi i infermierëve dhe mjekëve duhet të jetë një këmbanë alarmi.
“Shumë shpejt jo vetëm mjekësi falas nuk do të ketë por nuk do të ketë as mjekësi shqiptare, në kuptimin e parë të fjalës. Me ritmet e largimit të personelit shëndetësor, të mbi 800 mjekëve të larguar që nga viti 2013 përbën një situatë alarmante që kërkon vertetë një ndëhyrje drastike. Ne me mendimet që japin nuk jemi për të përmirësuar sistemin, nëse mund të krijohet kjo ide. Ne jemi në antagonizëm me këtë sistem. Dua t’ju them një fakt të thjeshtë. Në degën e Infermierisë në Universitetin e Shkodrës, mbi 90% e infermierëve atje hyjnë me një diplomë gjermanishteje në xhep. Unë mendoj se pas kësaj ka më nevojë të bësh pyetsor se ku ke dëshirë të studiosh apo të jetosh. Apo a dëshiron të qëndrosh”, theksoi kirurgu.
Për ish-ministrin e Shëndetësisë, mjekët kanë nevoje për dinjitet dhe paga që i japin mundësi të jenë të vlerësuar, duke sjellë në vëmendje premtimin e kreut të opozitës, Basha për paga 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët.
“Rritja e pagave është shumë e rëndësishme. Do të ketë një impakt të menjëhershëm në moslargimin e personelit. Do të jap vetëm një impresion të thjeshtë, pas një tryeze të ngjashme për shëndetësinë që zhvilluan vitin e kaluar, mesazhi që pati më shumë impakt në ambjentin spitalor ishte ai i zotit Basha për rritjen e pagave. Njerëzit kanë natyrën dhe tendencën të harrojnë shpejtë, harrojnë çfarë themi për politikat dhe ligjet. Detyra jonë është që premtimet tona të jenë të bazuara. Që në premtimet tona të mos ketë gënjeshtra”, tha ish-ministri i Shëndetësisë./TPZ.Al