Home Approccio Italo Albanese Kontroll udhëtarëve nga Italia/ Pasagjerët: Ikëm nga tërmeti, po kthehemi nga koronavirusi

Kontroll udhëtarëve nga Italia/ Pasagjerët: Ikëm nga tërmeti, po kthehemi nga koronavirusi

Përhapja e koronavirusit në Italinë fqinje e ka rritur me 20 përqind fluksin e udhëtarëve që mbërrijnë në portin e Durrësit krahasuar me javët paraardhëse. 

Situata ka shtuar masat edhe në pikën kufitare të këtij porti nga ku çdo ditë nisen dhe mbërrijnë tragetet e linjave me Barin dhe Ankonën. Sipas autoriteteve portuale, një ekip prej 7 mjekësh dhe infermierësh kujdeset për shëndetin e udhëtarëve, për konstatimin e personave që paraqesin simptoma të virusit. Megjithatë vetë udhëtarët që zbarkuan nga tragetet këtë të hënë pohojnë se jo në çdo rast u matet temperatura.

Frika nga epidemia e koronavirusit ka shtuar numrin e personave të kthyer në vend me tragetet e linjës nga Durrësi. Vetëm në fundjavë dhe mëngjesin e së hënës zbritën nga tragetet rreth 1840 persona,  kryesisht familjarë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në gadishullin Apenin.

Në portin e Vlorës ndërkohë rreth 300 pasagjere kanë kryer procedurat e imbarkimit për t’u nisur drejt Italisë të hënën. Edhe pse e dinë si është situata në vendin fqinj, ata thonë se do ta vazhdojnë udhëtimin por me maska në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi.

Nga dita e premte dhe deri të dielën 416 pasagjerë kanë mbërritur në këtë port nga Italia

Top Channel

Share: