Home KRYESORE Në sindromën e Koronavirusit te Banka… Satirë nga Armir Shkurti

Në sindromën e Koronavirusit te Banka… Satirë nga Armir Shkurti

Më duheshim ca para, kështuqë u nisa për në bankë. Meqë kemi gripin nëpër këmbë, vura një kapuç, syze të errëta që të mbroj sytë, një maskë dhe vajta. Tërhoqa një numër dhe po rrija si në gjemba. Kishte shumë njerëz që më krijonin ankth. “Po sikur ndonjëri të ketë coronavirusin”? Kur më erdhi rradha, siç isha gjithë ankth, natyrisht pa hequr as maskën as syzet as kapuçin i them:

  • Zonjë! Dua 20 mijë euro! Shpejt të lutem!
    Ajo e shkreta kushedi ç’halle kishte – se i lexohej një shqetësim i madh në fytyrë – më thotë:
  • Aman, të lutem! Se kam fëmijë!
  • Ata po na e hanë kokën! – marr pjesë në hallin e saj – sa fëmijë keni?
  • Dy vajza dhe një djalë- dhe atë çast çuditërisht shpërtheu në lot.
  • Shshsht! Zonjë! Ju lutem përmbahuni se ka njerëz! Do mendojnë kushedi çfarë për mua. Ju lutem të mbarojmë shpejt se këtu ndjehem shumë i rrezikuar!
    Në fakt aq njerëz sa kishte aty vështirë të mos qe njëri me grip. Mezi po prisja të dilja një sekond e më parë.
  • Të lutem mi bëj 50-she, se nuk kam ku i fus – iu luta. Vura re se po dridhej. Edhe gjoja bankë! As një ngrohëse me rezistencë nuk u kanë vënë punonjësve – mendova. E duke menduar këto, zonja më zgjati një tufë me para që, nga ankthi i virusit, as i numërova. Dola me vrap, hyra në makinë dhe vajta pas stadiumit për ti numëruar i qetë. Arkëtarja kish qenë e ndershme! Plot 20 mijë euro…Pastaj u kujtova: “ore po kartën e identitetit si nuk ma kërkoi ajo?…Apo më ka njohur, si klient që jam!…Po si më njohu me kapuç, syze dhe maskë..?”
Share: