Home KRYESORE Plani i lagjes së re në Shijak/ Do të shemben 30 pallate,...

Plani i lagjes së re në Shijak/ Do të shemben 30 pallate, xhamia, 4 shkolla, 1 kopsht dhe pallati i kulturës

Të paktën 30 pallate dhe 7 institucione, mes të cilave 4 shkolla, 1 kopsht, xhamia dhe pallati i kulturës së qytetit në bashkinë e Shijakut do të shemben për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit. 23 pallate të tjera janë në proces rivlerësimi për kostot e rindërtimit nga ekspertët.

Ndërkohë në qytet besimtarët kanë zgjedhur t’i kryejnë ritet në çadrën e vendosur para Xhamisë deri në një zgjidhje tjetër, ndërsa në lagjet e dëmtuara banorët i gjen ende pranë pallateve të pabanueshme. Edhe pse i kanë boshatisur apartamentet dhe janë zhvendosur në banesa me qira, kthimi në lagje është pjesë e rutinës së tyre.

”Është e vështirë me gjet me qira, pasi të gjitha pallatet dolën të pabanueshme, po jemi sistemuar. Bonusin e kemi marrë nga bashkia. Flitet se do të bëhet lagjja e re po një plan konkret nuk kemi parë. Shpresojmë të bëhet diçka e mirë. Vullnetin e mirë e kanë dhe ne jemi në pritje.”

Edhe Behari, banor i pallatit nr. 15, nuk ndahet lehtë nga apartamenti i tij që u dëmtua rëndë në tërmetin e 26 nëntorit e tani pret shembjen.

”Kemi dalë me DS4. Pallatet janë ndërtuar pa kolona në vitet ’80 me kontribut vullnetar. Cilësi e dobët e punimeve. Këto do të shemben e do të bëhet një kompleks.”

Të gjitha familjet e prekura nga tërmeti kanë marrë bonus qiraja dhe janë zhvendosur në banesa të tjera në pritje të fillimit të rindërtimit të godinave të dëmtuara.

”Kemi 30 pallate të dëmtuara të nivelit DS4 dhe DS5, po ashtu 500 shtëpi 1-3 kate të të njëjtit nivel. Kemi dhe një masterplan të miratuar për ndërtimin e lagjes së re te ”Lugina” ku ndodhen shumica e pallateve, 21 pallate. Do të jetë një lagje e re moderne me të gjitha kushtet për banorët.” tha Elton Arbana.

Masterplani parashikon ndërtimin e pallateve me 3, 5 dhe 7 kate për të mbuluar nevojat e familjeve për strehim, duke zëvendësuar pallatet e vjetra dhe të shkatërruara nga tërmeti.

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana është optimist për afatet e rindërtimit dhe kthimin e banorëve në shtëpitë e reja.

“Të gjitha shtëpitë 1-3-katëshe do të mbyllen brenda vitit 2020, ndërsa pallatet do të rindërtohen një vit nga data e shembjes së tyre.”

Arbana deklaron se dhe 4 shkollat e dëmtuara do të jenë gati me nisjen e vitit të ri shkollor. Në këtë bashki janë dëmtuar dhe pritet të shemben përkatësisht shkolla e mesme ”’16 shtatori”, shkolla 9-vjeçare ”Lidhja e Prizrenit” dhe kopshti nr.1 në Shijak, si dhe shkolla e mesme e Maminasit dhe shkolla e Sallmones, nxënësit e të cilave e zhvillojnë mësimin në shkolla pritëse./Vali Qyrfyçi/

Top Channel

Share: