Home KRYESORE Qeveri kujdestare para zgjedhjeve—modeli maqedonas që opozita kërkon të sanksionohet në Shqipëri

Qeveri kujdestare para zgjedhjeve—modeli maqedonas që opozita kërkon të sanksionohet në Shqipëri

Në negociatat që po zhvillon me Partinë Socialiste, Partia Demokratike ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të organizohen gjithmonë nga një qeveri e përbashkët mes forcave kryesore politike.

Sipas propozimit të PD-së, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare Kryeministri i shumicës jep dorëheqjen dhe krijohet një qeveri kujdestare, në të cilën disa prej ministrave do të propozhen nga opozita. Kjo qeveri ka detyrë, ndër të tjera, organizimin e zgjedhjeve dhe shërben deri në krijimin e qeverisë që del nga zgjedhjet.

PD kërkon që ky rregull i sistemit tonë zgjedhor dhe politik të zbatohet jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por të sanksionohet në Kushtetutë për çdo zgjedhje në të ardhmen.

Argumenti i vetëm me të cilin PD mbështet këtë propozim është se ky është një model i zbatuar me sukses në Maqedoni dhe do të shërbej njësoj edhe në Shqipëri.

Në vitin 2016, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme, në Maqedoninë e Veriut u krijua një qeveri kujdestare, ku dy ministra dhe disa zëvendësministra, u propozuan nga partitë e opozitës, ore politike për organizimin e zgjedhjeve. E njejta qasje u përsërit këtë janar për përgatitjen e zgjedhjeve të caktuara për në prill 2020.

Qeveria kujdestare ishte produkt i marrëveshjes për zgjidhjen e krizës më shumë se një vjeçare politike në Maqedoni, pas bojkotimit të parlamentit nga opozita dhe përshkallëzimit të protestave popullore kundër qeverisë së Nikola Gruevskit. Këto ngjarje pasuan publikimin prej SDSM-së, partisë kryesore opozitare, të një sërë përgjimeve të bisedave telefonike që dukej se tregonin bashkëpunim korruptive dhe kriminale mes politikanëve të rëndësishëm të shumicës.

Më ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë, partitë kryesore politike në Maqedoni arritën më 2 qershor 2015, një marrëveshje të njohur si Marrëveshja e Pržinos, e cila parashikonte kthimin në parlament të opozitës, emërimin e një prokurori special për hetimin e pavarur të skandalit të përgjimeve, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimin e një qeverie kujdestare për organizimin e tyre.

Më 15 korrik 2015, Marrëveshja e Pržinos u plotësua me një protokoll, i cili detajoi mënyrën e krijimit të qeverisë kujdestare të dakordësuar mes palëve. Përcaktimet e marrëveshjes janë perfshirë në ligjin zgjedhor të Maqedonisë.

Sa i përshtatshëm mund të jetë modeli i qeverisë kujdestare në kushtet shqiptare, që janë të ndryshme nga ato maqedonase, është diskutim që duhet bërë seriozisht dhe publikisht.

Për t’i shërbyer këtij reflektimi, Exit News po përmbledh më poshtë elementët kryesore të “modelit maqedonas”.

Krijimi dhe përbërja e qeverisë kudjestare

— 100 ditë para datës së zgjedhjeve parlamentare, kryeministri jep dorëheqjen.

— Katër partitë kryesore, dy maqedonase dhe dy shqiptare, krijojnë bashkarisht një qeveri kujdestare.

— Kryeministri i ri emërohet me propozim të partisë që ka shumicën parlamentare, pra të partisë që e kishte kryeministrin para qeverisë kujdestare.

— Ministri i Brendshëm emërohet me propozim të partisë kryesore opozitare.

— Ministri i Punës dhë Çështjeve Sociale emërohet me propozim të partisë kryesore opozitare.

— Përbërja tjetër e qeverisë nuk ka asnjë kufizim dhe mund të përfshijë ministrat e mëparshëm.

— Emërohen pesë zëvendës ministra të rinj të cilët kanë drejtën e shqyrtimit dhe të vetos për të gjitha vendimet ligjore, financiare dhe të personelit që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Këta zëvendës mimistra zgjidhen në këto institucione:

Në Ministrinë e Brendshme me propozim të partisë që ka shumicën parlamentare;
Në Ministrinë e Financave me propozim të partisë kryesore opozitare;
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pyjeve dhe Ujrave me propozim të partisë kryesore opozitare;
Në Ministrinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratë me propozim të partisë kryesore opozitare.
Qeveritë kujdestare maqedonase 2020

Maqedonia e Veriut do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 12 prill, të kërkuara nga ish-kryeministri Zoran Zaev, i cili kërkoi një rikonfirmim të mbështetjes popullore pas refuzimit të hapjes së negociatave me Maqedoninë nga BE.

Më 3 janar 2020, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme të caktuar më 12 prill 2020, Kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqjen për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie kujdestare.

Me propozimin të partisë në pushtet, Kryeministër u emërua Oliver Spasovski, i cili ishte Ministri i Brendshëm i qeverisë së Zaev dhe Sekretar i Përgjithshëm i partisë së tij SDSM.

Me propozim të opozitës, postin e Ministrit të Brendshëm kujdestar e mori Nake Shulev, ndërsa atë kujdestar të Punës dhe Çështjeve Sociale e mori Rashela Mizrahi. Ministrja e mëparshme e Punës dhe Çështjeve Sociale në kabinetin e Zaevit, Mila Carovska, u promovua në postin e Zëvendës Kryeministres.

Gjithashtu, katër zëvendës-ministra të rinj u emëruan, dy të propozuar nga shumica dhe dy nga opozita, me fokus vetëm çështjet e përgatitjes së zgjedhjeve.

Me përjashtim të ndryshimeve të mësipërme, pjesa tjetër e kabinetit qeveritar mbeti e pandryshuar—ministrat e qeverisë Zaev vazhdojnë detyrën si më parë./Exit.al

Share: