Tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë edhe presidentit Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter
Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media. Një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së.
Përmes një deklarate të zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian, thuhet se “ky hap mund ta ofrojë një mundësi për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndihmuar nga Bashkimi Europian”, dhe se “Borrell është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog”.
LEXO EDHE:
Ose ‘agjent’ i NATO-s, ose i Serbisë!
“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të restaurohet në mënyrë urgjente. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient që është i favorshëm për vazhdimin e dialogut, për të mirën e të dyja vendeve” – thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Por heqja e taksës e konceptuar si proces që do kalojë në disa faza nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: Tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë edhe presidentit Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.I.C./Shqiptarja.com