Dita e hënë dhe ajo e martë do të kenë mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, këto të fundit shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët në zonën e qendrës dhe atë të veriut. Ky është parashikimi nga Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Duke nisur nga orët e pasdites të ditës së martë vendi përfshihet i gjithi nga reshjet e shiut me intensitet të ulët dhe mesatar.
“Për shkak të depërtimit të masave ajrore polare, nga orët e vona të mbrëmjes (23:00) të ditës së Martë deri në orët e para të mëngjesit (06:00) të ditës së Mërkurë në zonat malore në lartësitë mbi 300 metër do të ketë reshje të dendura dëbore. Reshjet e dëborës zbresin gjithashtu deri në lartësitë kodrinore 500-600 metër ndërsa nga ana tjetër ultësira perëndimore dhe vija bregdetare do të kenë mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Gjatë ditës së Mërkurë vendet e ulëta dhe ato bregdetare do të kenë mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare ndërsa zonat malore reshje dëbore”, thekson SHMU.
Ndërkohë dita e enjte dhe ajo e premte do të kenë mot të kthjellët por gjithashtu të acartë shoqëruar me ngrica dhe akull si dhe me temperatura të ulëta dhe negative në orët e mëngjesit në të gjithë territorin./ Opinion.al