Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Të ndarë dhe të pabarabartë: Segregimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në...

Të ndarë dhe të pabarabartë: Segregimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollat shqiptare

Edhe pse ligji shqiptar e ndalon segregimin e shkollave si formë diskriminimi, disa institucione publike të arsimit 9-vjeçar vazhdojnë të jenë të segreguara, duke lënë pasoja të thella për nxënësit e minoriteteve.

Nga Bredi Xhavara | BIRN | 

Altin Pira, babai i 8 fëmijëve dhe anëtar i Bordit të Prindërve në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë | Foto : Brejdon Xhavara

Altin Prita, banues në lagjen ‘Kulla e Hirit’ në Korçë është babai i 8 fëmijëve, nga të cilët  ‘tre çupa dhe një djalë’ shkojnë aktualisht në shkollë. Të gjithë fëmijës e Pritës kanë ndjekur shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, por jo me dëshirën e tij.

“Fëmijët shkonin në shkollë, tregonin që mësueset i shanin dhe i rëndonin psikologjikisht,” kujton Altini, i cili tani është anëtar i bordit të prindërve.

“Sidomos për romët, ata nuk zhvillonin as mësimet me fëmijët, sepse nuk i donin… kam shkuar shumë herë dhe i kam gjetur mësueset në kafe duke pirë kafe në orën e mësimit,” shtoi ai.

Në vitin 2015, gati të gjithë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” vinin nga komuniteti rom dhe egjiptian, duke e bërë këtë institucion publik arsimor një nga shkollat më të segreguara në Shqipëri. Ky nivel i lartë segregimi dhe ankesat e prindërve e shtynë Qendrën Europiane për të Drejtat Rome në Budapest, ECCR, të ngrinte një padi për diskriminim në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut kundër shtetit shqiptar.

“Ne duam që fëmijët të kenë as më pak, as më shumë se çfarë është e drejta e çdo qytetari në Shqipëri – një arsimim të barabartë,” tha Jonathan Lee nga Qendrën Europiane për të Drejtat Rome. “Fakti që kjo shkollë është 99% rome dhe egjiptiane është segregim racor sipas ligjit,” shtoi ai.

Shkolla “Naim Frashër’ nuk është e vetmja shkollë e segreguar në Shqipëri dhe sipas aktivistëve të komuniteti rom dhe egjiptian, ky është një problem që haset edhe në institucione të tjera arsimore publike në Shkodër dhe Elbasan.

E pyetur nga BIRN mbi shkollën “Naim Frashëri” në Korçë dhe institucione të tjera arsimore, Ministria e Arsimit deklaroi se ishin regjistruar përmirësime gjatë viteve të fundit dhe fajësoi organizatat e shoqërisë civile, duke pretenduar se ndihmat që ato kanë dhënë për shkollimin e fëmijëve romë kanë ndikuar në segregimin e shkollave ku këta fëmijë studiojnë.

Shkelje e ligjit

Fatmira Bedulla, nënë nga Korça, fëmijët e të cilës ndjekin shkollën Naim Frashëri në Korçë Foto : Brjedon Xhavara

Kuadri rregullator shqiptar parashikon mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe integrimin e tyre ne jetën sociale. Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” ndalon diskriminimin në arsim për shkak të racës apo përkatësisë etnike dhe parashikon gjithashtu sanksionet përkatëse. Megjithatë, për shkak të paragjykimeve përjashtuese ndaj komunitet rom dhe egjiptian që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare, segregimi vazhdon të jetë prezent.

Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda shkolla duhet të reflektojë komunitetet  që ka shoqëria, pasi kjo i ndihmon fëmijët për t’u rritur dhe për të pranuar shumëllojshmërinë e shoqërisë, si dhe për të mos diskriminuar individë apo grupe të ndryshme.

“Përqendrimi i fëmijëve të komunitetit  në një  institucion shkollor nuk ndihmon në gjithëpërfshirjen që do të duhet ushqejë shkolla, ky është problemi i segregimit në vetvete,” tha Gajda.

“Në rastin e shkollës  Naim Frashëri, por edhe në shkolla të tjera, gjëja e parë që kemi identifikuar është disporpocioni i fëmijëve që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian dhe kjo nuk ndihmon në bashkëjetesën me të ndryshmin e tij, çka nënkupton një problem, sepse nuk lejon që fëmijët të rriten pikërisht me ketë frymën e jetesës bashkë me fëmijët e tjerë dhe në këtë rast konsiderohet diskriminim, por që vjen në formën e segregimit,” shtoi ai.

Fatmira Bedulla, një tjetër prind nga Korça i tha BIRN se në shkollën “Naim Frashëri” fëmijët e minoritetit kanë qenë jo vetëm të segreguar, por edhe të diskriminuar dhe të keqtrajtuar nga disa prej anëtarëve të stafit pedagogjik.

“Fëmijët e gaxhenjve rrinin në bankat e para, fëmija im rrinte në bankën e fundit. Fëmija tonë ulej vetëm, ndërsa fëmijët e mazhorancës uleshin të dy bashkë,” tha ajo, duke shtuar se si rregull, bankat e para duhej të rezervoheshin për fëmijët me gjyslykë dhe ata shtatshkurtër.

“Nuk kishin as banjo, i mbanin me çelës mësuesit; kur vinin fëmijët në shtëpi i pyesnim dhe ata na tregonin hallet në shkollë,” shtoi Bedulla.

Etleva Tare, specialiste e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë, i tha BIRN se problematika e shkollës “Naim Frashëri” ekziston për më shumë se një dekadë. Sipas Tares, kushtet e këqija të shkollës – para rikonstruksionit në vitin 2019 dhe paragjykimi ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane i shtynte prindërit nga komunitetet e mazhorancës t’i largonin fëmijët nga kjo shkollë.

“Nuk donin të rrinin me fëmijët romë dhe egjiptianë dhe një arsye tjetër ishte dhe fakti që shkolla nuk kishte kushte, si dyer, dritare, ngrohëse, pa mure rrethues – shkolla ka qenë në kushte shumë të këqija,” tha Tare, duke shtuar se kjo shkollë vijon akoma të “ketë më shumë nga dora tonë, 75 % janë romë dhe egjiptian.”

“Nga ana psikologjike e dëmton fëmijën, ata nuk ulen me ata të mazhorancës, fëmijët nuk po integrohen sepse janë të segreguar akoma,” nënvizoi ajo.

Sipas ECCR-së, padia kundër Shqipërisë në Strasburg i ka rrënjët në një takim me prindërit e shkollës “Naim Frashëri’ në vitin 2017 dhe dëshirës së tyre që fëmijët të ndiqnin shkolla të integruara.

“Ne bëmë një ankesë te Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi, i cili ra dakord që situata në shkollën ‘Naim Frashëri’ ishte segregim racial i paligjshëm,” tha Jonathan Lee.

Lee shpjegon se në vitin 2017, Ministria e Arsimit i shkroi një letër ECCR-së ku tregonte hapat që do të merrte kundër segregimin në shkolla, por nuk i zbatoi kurrë këto masa. Ai shtoi se gjykata e Strasburgut pritet të shprehet për këtë çështje deri në prill të vitit 2021.

E pyetur nga BIRN, Ministria e Arsimit tha se përqindja e fëmijëve romë dhe egjiptianë si pjesë e totalit në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri’ ka ardhur duke u ulur gjatë 3 viteve të fundit, pas ngritjes së padisë në Strasburg nga Qendra Europiane për të Drejtat Rome.

“Shkollës 9-vjeçare “N. Frashëri” i janë bashkuar shkollat Ravonik dhe Turan që janë 2 km larg kësaj shkolle, duke bërë të mundur që diferenca në përqindje mes nxënësve romë dhe egjiptianë në krahasim me nxënësit joromë dhe joegjiptianë në këtë shkollë të ulet me 37%,” tha Ministria e Arsimit.

Ministria shtoi se kjo shkollë mbulon lagje me një përqendrim historik të komunitetit rom, ndërkohë që fajësoi edhe subvencionet nga OJF të ndryshme ndër vite për komunitetin rom me projekte për afrimin e fëmijëve të rrugës, duke u çuar atyre pako ushqimore çdo muaj ose duke i ndihmuar me mjete mësimore.

“Ndihmat ushqimore dhe mjetet shkollore vetëm për komunitetin rom dhe egjiptian ndikuan jashtë mase në largimin nga shkolla “N. Frashëri” të fëmijëve të tjerë, pasi ndiheshin të përjashtuar,” tha Ministria e Arsimit.

“Prindërit romë dhe egjiptianë nuk kanë nxjerrë në asnjë rast problemin e segregimit, pasi janë historikisht banorë të zonës që mbulon shkolla “N. Frashëri”,” shtoi ajo.

Problem kompleks

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,| Foto :LSA

Vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tregojnë se problemi i segregimit në shkollat shqiptare nuk është i kufizuar vetëm në Korçë, por shtrihet edhe në zona të tjera të Shqipërisë që kanë një përqendrim të komunitetit rom dhe egjiptian si Berati, Shkodra dhe Elbasani.

“Duhet të kemi parasysh që zgjidhja e rasteve të segregimit është komplekse, sepse kërkon impenjimin e disa aktorëve dhe jo vetëm të një individi. Pra në këtë rast nuk kërkohet vetëm angazhimi i drejtorive arsimore apo Ministrisë së Arsimit, por kërkohet një impenjim i shumëfishtë –  angazhimi i vetë familjeve të komuniteteve, por edhe familjeve e tjera që janë pjesë e këtij ambienti,” tha Robert Gajda.

“Por njëkohësisht edhe i organizatave të shoqërisë civile që operojnë dhe mund të bëjnë rolin e ndërmjetësit midis familjeve dhe autoriteteve,” shtoi ai.

Raste të ngjashme segregimi janë regjistruar në shkollën “Avdyl Avdia” në fshatin Moravë të Beratit, në shkollat ‘Qamil Haxhihasani 2’ dhe ‘Ptoleme Xhuvani’ në Elbasan, si dhe në shkollën “Liria” dhe “Isuf Tabaku” në Shkodër”.

Ervis Çota, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Rinore Rome dhe Egjiptiane, i tha BIRN se shkollat ‘Ptoleme Xhuvani’ dhe ’ ‘Qamil Haxhihasani 2’ janë pranë një lagjeje më përqendrim të lartë të komuniteti rom dhe egjiptian në Elbasan, por nënvizoi se aktivistët kanë gjetur mirëkuptimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale.

“Kanë ndodhur raste që mazhoranca ka larguar fëmijët nga shkolla ”Ptoleme Xhuvani” sepse shkolla po shkonte drejt segregimit, por ne ndërhymë në kohën e duhur dhe u bë problematike në shkollë dhe në drejtorinë arsimore, e cila ndaloi prindërit nga mazhoranca që t’i transferonin fëmijët në shkolla të tjera,” tha ai.

“Ndërkohë, një rast tjetër është shkolla pedagogjike që prindërit i transferuan në shkollën përballë saj me arsyen që dominonte më shumë fëmijët e komunitetit dhe fëmijët që ishin nga mazhoranca ishin në pakicë,” shpjegoi Çota.

Lorela Balla, nënë e dy fëmijëve 7 dhe 11 vjeç, nxënës të shkollës “Ptoleme Xhuvani” i tha BIRN se nuk kishte hasur diskriminim në këtë institucion arsimor.

“Aty ka shumë, më shumë (dora jonë) ngaqë jemi në të njëjtën lagje, por edhe që t’i kemi fëmijët sa më afër është më mirë për ne – problemi është se nëse ne jemi të gjithë aty, (dora e bardhë) do të thotë përse do ta dërgoj fëmijën aty, kur janë vetëm (dora jonë) dhe normale që do shkëputet nga shkolla,” tha ajo.

Edhe Marta Meçja ka dy fëmijë, të cilët ndjekin shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan.

“Te klasa e vajzës time ka vetëm fëmijë nga komuniteti dhe vetëm dy janë nga mazhoranca.  Edhe tek djali që është në klasën e parë janë vetëm fëmijët e dorës sonë,” tregon ajo. “Mësuesja e djalit tim më ankohet gjithmonë për sjelljet që fëmijët bëjnë në klasë dhe gjithmonë më thotë që është e pamundur të mbaj qetësi në klasë, gjithmonë fëmijët bëjnë zhurmë, flasin fjalor të pisët, sepse jetojnë në të njëjtën lagje dhe janë rritur bashkë,” shtoi ajo.

Ministria e Arsimit i tha BIRN se segregimi në shkollat e Elbasanit vjen si pasojë e përqendrimit të madh të komuniteti rom afër tyre. Ndërsa në lidhje me shkollën “Liria” në Shkodër, Ministria nënvizoi se në përgjigje të vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ishin marrë një sërë masash nga Drejtoria Arsimore Rajonale.

“Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit ka mirëpritur çdo kërkesë të shoqatave dhe të grupeve të interesit në lidhje me arsimimin e romëve dhe egjiptianëve, ka informuar në kohë të interesuarit për të dhënat e kërkuara prej tyre, ka analizuar e ka shqyrtuar brenda afateve çdo vendim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe ka kthyer përgjigje për çdo shkresë të ardhur nga Avokatura e Shtetit,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim.

Megjithë optimizmin që gjen nga reagimi i DAR në rastin e shkollës “Ptoleme Xhuvani”, Çota i tha BIRN se rreziku i segregimit mbetet i hapur, përsa kohë politikat arsimore nuk do të zbatohen siç duhen.

“Këto shkolla janë ndërtuar aty ku përqindja e komunitetit është e lartë dhe rreziku është që edhe ata pak nxënës nga mazhoranca që kanë ngelur, do të largohen nga aty,” paralajmëroi ai. “Në rast se do të respektohen ligjet dhe rregulloret nga drejtoritë arsimore dhe shkollat, atëherë ky problem do të vijë duke u ulur dhe fenomeni i segregimit do të zbutet,” parashikoi Çota.

Share: