Nga Mentor Kikia
Pasi pushoi debati i madh mbi rolin apo mëkatin “historik” të pjesëmarrjes së Alketës në Sanremo dhe replika po kaq e rëndësishme mes saj dhe Xhemit, mendova se duhet ti kushtojmë pak vëmendje edhe një ngjarjeje tjetër. Ndarjes nga jeta, pak ditë më parë, të një njeriu që nuk dilte shumë në TV, por ishte një nga binarët më të fortë të ngrehinës së artit shqiptar. Piktori, ikonografi dhe mjeshtri i mozaikut Josif Droboniku.
Sot të gjithë e shikojmë mozaikun e madh të Muzeut Kombëtar, por pakkush e di kush e ka ndërtuar. Njëri ndër ata mjeshtra ishte edhe Josifi. Shumëkush magjepset nga mozaiku i madh i Katedrales Ortodoke në Tiranë, por pakush e di kush e ka bërë këtë mrekulli.
Ai është Josifi.
Do të duheshin shumë rreshta të rendisje punët e tij.
Ndonëse pak me vonesë, këtë homazh doja ta publikoja në formën e një thirrjeje për të gjithë kolegët e medias, pasi shpesh rendim pas banales, e madje edhe vulgut, sepse ai prodhon më shumë vëmendje, apo shikues e klikues. Duke mos i kushtuar kohë atyre që në të vërtetë meritojnë piedestale.
Sot shoqëria i njeh me emra të gjithë banidët, kryetarët e partive dhe politikanët, sepse aq shumë i kemi promovuar. Ndërsa nuk njeh fare ata që kanë kaq shumë merita për këtë vend.