Home KRYESORE Autorizime për të lëvizur, si të aplikoni në aplikacionin Covid-19

Autorizime për të lëvizur, si të aplikoni në aplikacionin Covid-19

Policia e Shtetit, në faqen zyrtare të saj (www.asp.gov.al), ka publikuar një aplikacion të ri me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”

Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni.

Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://autorizime.asp.gov.al.

Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara.

Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online.

Policia e Shtetit ka marrë masa për të përballuar shqyrtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe bën me dije se çdo aplikim që plotëson kriteret sipas kërkesave të formularëve dhe miratohet nga ana e Policisë Rrugore do të jetë e verifikueshme nga patrullat e Policisë gjatë kontrolleve të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit.

Të gjitha autorizimet e lëshuara më parë nga Policia dhe ato të konfirmuara nëpërmjet email-it nga ana e Policisë janë të vlefshme dhe nuk është e nevojshme të aplikohet përsëri./ Opinion.al

Share: