Situata e përbotshme gati pa asnjë skenar realist për mbarimin e karantinës totale lidhur me koronovirusin ka ngjallur një panik për veten, jetët e të afërmëve, lajmet e shumta kontradiktore dhe mbi të gjitha të ardhmen.Shqipëria nuk mund të bëjë dot dallim, pasi sot, numri i të prekurve ka arritur në 42 persona, që e përkthyer me gjuhën e studiuesve do të thotë një numër shumë e shumë më i madh.
Turizmi ka dhënë shenjat e para të këtij realiteti të zi, teksa janë anuluar rezervimet e para potenciale. Kurse ekonomia po hesht në pritje të një reagimi qeveritar.E gjithë energjia e një shteti të varfër si shteti ynë ka shkuar thjesht te Shëndetsia dhe kapacitetet e saj, pastaj tek Task-forca, që po ndihmon me masat për mos përhapjen e frikshme të sëmundjes, e cila me ritmin e saj është e paprecedentë në dekadat e fundit.
Ndërsa një pjesë e madhe për shkak të strukturës së zhvillimit tonë mund të punojë dhe të funksionojnë online, pjesa më e madhe e bizneseve dhe sidomos ato të vogla kanë marrë goditjen e dytë fatale pas tërmetit.Para qeverisë Rama tashmë del një detyrë që gati i kalon fuqitë e saj: Mënyra sesi duhet me u sjell me biznesin dhe përballjen e kësaj situate. Si duhet të veprojnë bankat e të gjitha niveleve dhe si do zgjidhen detyrimet e biznesit?!
Zakonisht, vende si yni mund të kishin strategji për plane B, por kjo bëhet dhe aplikohet kur vendet janë të konsoliduara ndërsa Shqipëria sapo e ka nisur udhën e saj në kapitalizëm.
Ajo që e shqetëson komunitetin është sesi do paguhen kreditë e biznesit? A do ketë paketa ndihme për të varfërit dhe sidomos trajtime për punonjësit që janë nëpër fasoneri? Si do të shkojë realisht situata me bisnesin dhe ku do gjenerojnë paketat ndihmëse për ta?Biznesi është realisht i shqetësuar dhe mbushur me hipoteza por më e trishtë është situata sepse është tejet e rëndë për një ekonomi si jona të marrësh goditje kapitale në harkun e 6 muajve. Mënyra sesi kjo qeveri do të tregojë përballjen me këtë situatë do jetë treguesi i parë i ndryshimit real të kësaj qeverie me të gjithë paraardhëset e saj të pas viteve ’90. Veprimet dhe impaktet do jenë realisht fytyra e saj dhe jo retorika. Por, larg të tjerave, një gjë dihet mirë: Shqipëria po e nis rrugën e saj sërish, sikur të jetë jo tamam viti ’90 por gati shumë afër atij. (Javanews)