Home KRYESORE Egocentrizmi i politikanëve më i rrezikshëm se Covid-19

Egocentrizmi i politikanëve më i rrezikshëm se Covid-19

Përgjegjësia e politikanëve nuk qëndron vetëm në kryerjen e obligimeve që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta. Ata duhet të shkojnë përtej kësaj, sepse jeta i ka ligjet e veta, dhe të ndryshëm nga ato që i shkruajnë njerëzit. Nëse politikanët nuk i përshtaten këtyre ligjeve, ata punojnë kundër interesave të qytetarëve

Nga Emin AZEMI

Kosova nuk e ka zgjedhur momentin duhur për t’u bërë lajm kryesor, sepse nuk është politika por virusi Covid-19 ai që dikton çka është më aktuale dhe më emergjente.
Zënkat dhe debatet që po ndodhin aktualisht, do të ishin normal për një kohë tjetër, më të qetë dhe më të kursyer nga krizat e gjithanshme. Për një shtet normal nuk ka çështje më madhore se menaxhimi me situatën që erdhi si pasojë e virusit korona.

Kjo nuk e përjashton idenë që politikanët të mendojnë edhe për problematika që atyre ua rrisin adrenalinën, por kjo fare pak është në interes të qytetarëve. Këta të fundit tani e kanë hallin e maskave dhe masave tjera preventive, që duhet të sigurohen sa më shumë dhe sa më shpejt, sepse dinamika e përhapjes së virusit Covid-19 do të jetë më e shpejt se sa që është parashikuar në fillim.

Përgjegjësia e politikanëve nuk qëndron vetëm në kryerjen e obligimeve që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta. Ata duhet të shkojnë përtej kësaj, sepse jeta i ka ligjet e veta, dhe të ndryshëm nga ato që i shkruajnë njerëzit. Nëse politikanët nuk i përshtaten këtyre ligjeve, ata punojnë kundër interesave të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës aktualisht ndodhet para një opsioni mosbesimi, të iniciuar nga LDK. Shkak për këtë mocion u bë shkarkimi nga ana e Kryeministrit Kurti, të ish-ministrit të Brendshëm Agim Veliu, pas një deklarate të tij që kundërshtonte qëndrimin e Kurtit për mosshpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Kosovës. Ky hap i ndërmarrë kundër pjesëtarit të tyre, nga LDK është konsideruar si nënshtrim, dhe është kërkuar që i njëjti të rikthehet në postin e mëparshëm. LDK ka kërkuar edhe heqjen e menjëhershme të taksës 100%, si kusht për të vazhduar bashkëqeverisjen me LVV, në të kundërtën ata përmes mocionit kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Kush fiton e kush humb nga rrëzimi i Qeverisë aktuale të Kosovës? Më të humburit, dalin qytetarët e saj, sidomos ata që po jetojnë nën ankthin e përhapjes së virusit Covid-19. Kjo ka qenë edhe arsyeja që shumë qytetarë nga Prishtina dhe qytetet tjera të organizojnë protesta kundër rrëzimit të qeverisë aktuale. Në mbështetje të këtyre protestave ka qenë edhe bashkëshortja e ambasadorit amerikan në Kosovë, Filip Kosnett.

Si akt të menduar jo mirë e kanë trajtuar edhe disa deputetë dhe zyrtarë të lartë në Bruksel dhe Strazburg. Sipas tyre, rrëzimi i Qeverisë në këto momente pandemie që po kalon Kosova është kontraproduktiv dhe madje tepër i dëmshëm.

Egocentrizmi i politikanëve do tregohet më i rrezikshëm se Covid-19, nëse nuk reflektojnë dhe nuk bëjnë një moratorium të të gjitha aktiviteteve që shpijnë në rrëzimin e Qeverisë aktuale të Kosovës. (koha.mk)

Share: