78 emigrantë janë ndaluar në Maqedoninë e Veriut, teksa po transportoheshin ilegalisht me një kamion me targa Shkupi, drejtuesi i të cilit është arrestuar. Refugjatët janë ndaluar në afërsi të qytetit të Shipit ndërsa besohet se kanë hyrë ilegalisht nga Greqia.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski, u shpreh se numri i emigrantëve që po hyjnë ditëve të fundit në vend është në shifra normale. Sipas tij pavarësisht tensioneve në kufirin greko-turk, ende nuk ka ndonjë vërshim të madh të tyre në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
“Gjendja në kufirin jugor nuk ka ndryshuar. Kemi numër standard të tentativave për të hyrë ilegalisht në shtetin tonë. Mund të them se qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, pasi njësitet policore janë të gatshme të ndërhyjnë në rast të nevojës”, ka deklaruar Angellovski.
Maqedonia e Veriut është pjesë e asaj që është njohur si “Rruga Ballkanike” për refugjatët që vinë nga vendet e konfliktit dhe synojnë të arrijnë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm në tre javët e para të janarit, rreth 1,365 emigrantë janë dërguar në qendrat e ndalimit, pasi janë futur ilegalisht në Maqedoninë e Veriut.
Valën më të madhe të emigrantëve, vendi e kishte në vitet 2015 dhe 2016, kur në vend hynë dhjetëra mijëra njerëz. Në zonat kufitare me Greqinë janë regjistruar edhe përleshje me forcat e sigurisë ndërsa banorët e komunave për rreth kanë penguar me forcë ngritjen e kampeve për strehimin e tyre./Opinion.al