Home KRYESORE Koronavirusi/ Basha-Qeverisë: Rishikoni buxhetin 2020, hapni thesarin

Koronavirusi/ Basha-Qeverisë: Rishikoni buxhetin 2020, hapni thesarin

Pasditen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët, ku ka folur në lidhje me masat e marra për parandalimin e koronavirusit.

Basha është shprehur se duhet të konsiderohen pasojat afatgjata socio-ekonomike dhe impakti që kanë mbyllja e bizneseve.

Kryedemokrati ka thënë se një prej masave e kërkuar nga opozita është rishikimi i buxhetit 2020 dhe alokimimi i fondeve për shëndetësinë. Gjithashtu, kreu i PD kërkoi hapjen e thesarit të shtetit.

Pjesë nga fjala e Bashës

Kam një tjetër mesazh që dua ta ndaj me qytetarët. Nuk është aspak herët për të konsideruara pasojat afatgjatë socio-ekonomike. të gjithë e keni parë si është boshatisur Tirana sot, masat e shpallura nga qeveria, por kjo është vetëm një pjesë e veprimeve që duhet kryer.

Nëse mbyllim baret e restorantet, çfarë ndodh me call-center, me fasonët. Nëse mbyllen dhe ato çfarë duhet të bëjmë për impaktin ndaj këtyre njerëzve. Duhet urgjentisht të fokusohemi tek 2 komponentët e kësaj krize.

Pas një konsulte me grupin ekonomik të PD-së dhe aleatëve tanë dhe duke u bazuar tek përvojat e disa vendeve që po përballen me një situatë të ngjashme, propozojmë këto masa:

Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të energjisë dhe ujit për familjarët dhe bizneset në zonat ku COVID-19 është shfaqur.

Përjashtim nga taksa e pronës për 3 muaj në zonat dhe bashkitë ku COVID-19 është shfaqur.

Mbështetje për turizmin, fasonët, call-center që kanë pësuar apo pritet të pësojnë një rënie drastike nga koronavirusi dhe që janë goditur dhe nga tërmetit.

Rishikimin e buxhetit 2020 me qëllim alokimin e fondeve për trajtimin e të sëmurëve.

Alokimin e fondeve në buxhet për rritjen e testimeve për personat që mund të jenë prekur nga COVID-19.

Rritjen e fondeve në buxhet për mbrojtjen shëndetësore në përgjithësi.

Alokimi i këtyre fondeve është plotësisht i mundur.

Ju bëj thirrje qytetarëve të marrin të gjitha masat, një pjesë e madhe për tejkalimin e kësaj krize është në dorën tonë.

Nuk duhet të kemi turp, infektimi nuk është turp. Duhet të reagojmë menjëherë. Duhet të marrim masat për të mbrojtur njerëzit, duke nisur me familjarët, miqtë kolegët. Të ndjekim protokollet për masat e higjienës personale.

Rasti i Durrësit tregon sa e rëndësishme është transparenca.

Apeli i dytë është për autoritetet, të cilët duhet të lënë menjëherë propagandën dhe shfaqjen e aq më pak kokat e turpit. Nuk gjendet zgjidhja duke fshehur të vërtetat, vetëm e rëndon situatën. Zgjidhja është tek transparenca.

Numri prej 120 njësish sot në Shqipëri i gatshëm për t’iu ardhur në ndihmë të sëmurëve është i pamjaftueshëm. Të hapin thesarin për t’iu shërbyer qytetarëve. Nëse nuk iu shërbehet sot, kur do t’iu shërbehet. Pasojat e kësaj krize të studiohen me përparësi. E rëndësishme është që t’i thërrasin mendjes./ Opinion.al

Share: