Home KRYESORE Koronavirusi/ Rama citon Trump në apelin për të ruajtur qetësinë

Koronavirusi/ Rama citon Trump në apelin për të ruajtur qetësinë

Shqipëria konfirmoi sot 2 rastet e parë të të prekurve me koronavirus.

Kryeministri Rama i bëri apel qytetarëve për të mos u përfshirë nga paniku teksa njoftoi edhe disa nga masat e ndërmarra nga qeveria si mbyllja e shkollave për dy javë dhe ndërprerja e aktiviteteve deri më 3 Prill.

Në një postim të radhës në Facebook, kryeministri ka zgjedhur të ndajë një postim në Twitter të Presidentit të SHBA, Donald Trump.  Teksa SHBA po përballet me një numër të vazhdueshëm në rritje të rasteve me virus, Trump ka shkruar se viktimat nga gripi i zakonshëm edhe pse kanë qenë 37 mijë në Amerikë vitin e kaluar, jeta dhe ekonomia vazhdojnë.

Ky prononcim i Presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk duhet lexuar kurrësesi si një ftesë për moskokëçarje, por thjesht si një fakt për të mos humbur qetësinë e kthjelltësinë:

“Vitin e shkuar 37.000 amerikanë humbën jetën nga gripi i zakonshëm. Mesatarja vjetore e vdekjeve nga gripi (SHBA) është mes 27.000 dhe 70.000 në vit. Asgjë nuk ndalet, jeta&ekonomia vazhdojnë. Në këtë moment janë konfirmuar 546 raste të Coronavirus dhe kanë humbur jetën 22 persona. Mendojeni pak!””, shkruan Rama.

Ndërkohë paralelizmi i rastit të koronavirusit me gripin stinor u hodh poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë disa ditë më parë. Ata theksuan se përpos simptomave më të rënda, ajo që e bën më të rrezikshëm këtë virus është fakti se ne nuk kemi imunitet ndaj tij siç ndodh me gripin dhe në të njëjtën kohë nuk jemi të përgatitur mjaftueshëm për të përballuar përhapjen.

Kemi vaksina dhe terapi për gripin stinor, por nuk kemi asnjë vaksinë dhe asnjë trajtim për Covid-19″, ka bërë me dije OBSH kur njoftoi se shkalla e vdekshmërisë së COVID-19 është 3.7%. /Opinion.al

Share: