Home KRYESORE Manifestimi live/ “Salep sulltani nuk do t’ia dalë të shkatërrojë vendin”

Manifestimi live/ “Salep sulltani nuk do t’ia dalë të shkatërrojë vendin”

Manifestimi i 2 Marsit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u hap me himnin e flamurit. Sapo u ngjit në podium, Presidenti i vendit, Ilir Meta ka zgjedhur që të ulet në gjunjë para protestuesve, duke bërë simbolin e shqiponjës.

Aktori, Neritan Liçaj ishte i pari që foli në podiumin e ngritur para Presidencës duke thënë se ky tubim është në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë dhe atdheut. Sipas tij, ky manifestim është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri.

“Në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të atdheut tonë të dashur Shqipëri. Ky manifestim madhështor është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri”, tha Liçaj duke ia lënë më pas fjalën një personaliteti të së drejtës, juristit dhe ish-gjyqtarit të Strasburgut, Ledio Bianku.

Ky i fundit tregoi arsyet pse pranoi të vinte në Shqipëri, duke rënditur mes të tjerash se tubimi ka shumë rëndësi për mbrojtjen e Kushtetutës.

Sipas tij, debati Presidencë-mazhorancë, nxorri në pah se pa një Gjykatë Kushtetuese, nuk kemi më forcën e ligjit por ligjin e forcës. Po ashtu ai shtoi se sikundër është thënë, qëllimi i tubimit është vërtetë për pushtet, por për pushtetin kushtetues.

Pas Biankos, fjalën e mori ish-Ambasadori Agim Nesho, i cili ndër të tjera u shpreh:

“Sot jemi para shkeljes së Kushtetutës, aktit të madhor për të ardhmen e vendit. Kapja e institucioneve është vija e kuqe për të mbrojtur demokracinë. Mund të kemi menduar se lufta politike është luftë interesash, por e sotmja është këmbanë alarmi për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kthimin e sovranitetit. Sot kërkojmë vetëm mbrojtjen e saj, dhe kërkojmë përgjigje për disa pyetje.”

Pas diplomatit, fjalën e mori artisti i njohur, Bujar Kapexhiu, i cili u shpreh se morëm më të keqen e diktaturës e po shpikim më të keqen e demokracisë.“Jemi mbledhur për dy veprime, dy ide: Të mbrojmë dhe të mos pranojmë, për mbrojtje të ligjit, morali e kundër të keqes. Nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie e nuk do të jem, po në caste të vecante jam ndjerë edhe demokrat edhe socialist edhe republikan edhe ballist, vetëm për të mirën e Shqipërisë në interesit të Atdheut tim.

Kam jam me të gjithë e kundra të gjithëve, jam me ju që jeni në mbrojtje të ligjit, por jam edhe kundër atyre që tentojnë ta prekin e tjetërsojnë ligjin themeltar për interesa personale. Morëm më të keqen e diktaturës e po shpikim më të keqen e demokracisë.”, u shpreh Kapexhiu.

Po ashtu me tone të larta nacionalizmi foli dhe kampioni i boksit, Kristian Demaj. Boksieri shkodran tha se, ndonëse nuk ka lindur në Shqipëri, zemra e tij rreh vetëm kuqezi dhe iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në mbarë botën të kthehen në vendin e tyre dhe t’i bashkohen këtij manifestimi.

“Shqipëri, dua të të dëgjoj. Jam i lumtur dhe krenar që ndodhem në këtë manifestim madhështor. Edhe pse nuk kam lindur këtu, zemra ime është vetëm kuqezi. Zemra ime rreh për këtë vend të mrekullueshëm, që nuk duhet ta lë të shpopullohet. Zemra ime rreh për këtë rini, që duhet ta ndërtojë të ardhmen këtu. Shqiponjat duhet të kthehen e të jetojnë këtu. I ftoj të gjithë shqiptarët në mbarë botën t’i bashkohen besëlidhjes sonë kuqezi. Të gjithë së bashku në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës”, tha Demaj.

Një ndër 6 të ftuarit që mbajtën fjalën e tyre në manifestimin e thirrur nga presidenti, ka qenë dhe Oneda Skënderi, studente e fakultetit të drejtësisë. Duke përfaqësuar zërin e të rinjve, sikurse u shpreh, studentja tha se ajo është pjesë e atyre të rinjve dhe të rejave që ëndërrojnë një jetë dinjitoze në Shqipëri. Ajo tha ndër të tjera, se ndodhej në këtë manifestim për t’ju thënë ndal atyre që shkelin kushtetën dhe që zëri i sovranit të dëgjohet.

Me tone të ashpra foli dhe regjisori i njohur Edmond Budina, i cili u shpreh se:

“30 vjet më parë kishim një ëndërr. Ta bënim Shqipërinë si gjithë Europë. 30 vjet më pas jemi këtu për ta shpëtuar nga kjo diktatutrë e re që kërkon ta përdhosë vendin. I vihem në krah presidentit të Republikës pëer të mbojtur kushtetën nga ata që e kanë uzurpuar. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të zbrazet. Salep Sulltani nuk do tja dalë kurrë ta shkatërrojë shëqipërinë, ta zbrazë Shqipërinë. Oktapod që nuk ka asgjë socialist.”

Share: