Home Gjeo-Ekonomia Më shumë të infektuar jashtë Kinës, cikli mujor i shpërthimit të COVID-19

Më shumë të infektuar jashtë Kinës, cikli mujor i shpërthimit të COVID-19

Për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit, numri i të prekurve jashtë Kinës është më i lartë se ai brenda saj.

Sipas të dhënave të Univeristetit John Hopkins, rastet e konfirmuara më koronavirus jashtë Kinës janë 88 mijë e 400 ndërsa brenda Kinës 81 mijë. Të dhënat e qendrës së Univeristetit përllogariten nga shifrat zyrtare të OBSH-së por përditësohen më shpejtë.

Kina mesa duket ka arritur pikun e rasteve të saj të reja dhe nga dita e djeshme ka raportuar vetëm 16 raste të reja dhe 14 viktima. Aktualisht vendi ka vetëm 13,177 të prekur ndërsa pjesa tjetër janë rekuperuar.

Panorama është krejt tjetër në Europë, ku vetëm në Itali raportohen rreth 20 mijë raste. Ajo që është bie në sy është se Europa po përjeton të njejtën kurbë rritëse të rasteve, fiks një muaji pasi e njejta gjë ndodhi në Kinë. Nga data 12 deri në 13 shkrurt, Kina raportoi një rritje masive prej rreth 15 mijë rastesh të reja. E njejta rritje rastesh u raportua në pjesën tjetër të botës nga 12 në 13 mars.

Por ndryshe nga Kina që arriti ta përmbante përhapjen e virusit, kjo gjë nuk po ndodh në pjesën tjetër të botës ku rastet e reja vijojnë të rriten me ritme të shpejta.

Megjithatë mesa duket qeveritë kanë nisur ta marrin seriozisht tashmë atë që OBSH-ja e shpalli pandemi para disa ditësh. SHBA-ja zgjeroi hartën e vendeve nga ku nuk do të presë më fluturime ndërsa 29 shtete kanë deklaruar mbylljen e shkollave, bareve dhe restoranteve.

Mbyllja dhe kufizimi i lëvizjes ndërshtetërore po karakterizon vendet e Europës dhe vende të tjera si Filipinet, Singapori, Iraku, Kolumbia dhe Meksika.

Italia, ‘e sëmura e Europës’, ndodhet në karantinë të plotë tesa vetëm dje raportoi 368 të vdekur dhe 3,590 raste të reja.

Mbretëria e Bashkuar në një raport sekret të qeverisë përllogariste se koronavirusi do të jetë i pranishëm deri në pranverën e vitit 2021.

Në të gjithë botën aktualisht janë të rreth 93 mijë persona të infektuar me koronavirus dhe 6,500 kanë ndërruar jetë si pasojë e tij.

Ajo që tashmë pritet janë ditët në vijim. Mesi i prillit do të jetë një tjetër tregues nëse do të kemi ripërsëritjen e ciklit të shpërthimit në ndonjë vend tjetër të botës. /Opinion.al

Share: