Gërmajat e shpirtit
Nuk e di
si po jetoj pa ajër.
Nuk e di
si po jetoj pa ty.
Sikur të të doja
pakëz më pak…
Ndiej se po mbytem
në këtë dashuri.
Kilometra të tëra heshtjesh
na ndajnë.
Ëndrrat e papërmbushura,
në gërmajat më të thella të shpirtit
zgavrojnë.
Dhe sërish lutem për ty.
Ndonjëherë fati na end
Kurthe të pamerituara…
Oblivion
Ëndrrat e çmuara fluturojnë
në drejtim të horizontit.
Përtej shikimit, përtej prekjes,
venitur butësisht nga puthja e diellit.
Murmurima ekosh të harruara…
Gjithçka ka një fund.
Të gjithë do të plandosemi në errësirë.
Si mjeranë të dëshpëruar
me duart zgjatur në humbëtirë.
Pa përgjigje, pa të nesërme.
Murmurima ekosh të harruara…
Të brishtat zemra – dritëshuara
Më s’do t’i këndellin sytë,
në agime të purpurta,
a perëndime të vagëlluara.
Asgjë nuk do të mbetet për të treguar…
As këngë dhe as balada me gulçima dashurie.
Veç oblivion, murmurima ekosh
dhe klithma të shurdhëta marrie…
Rrebesh i çmendur
Kjo ndjenjë e gjithëhapësirshme
përqafon universin.
Dhe koha zhduket,
në kopshtin tonë sekret.
Yjet, me zjarrin e agimit vishen.
E duan të bëhen,
mijëra diej.vezullues.
Si një rrebesh i çmendur iluzionesh…
Të tërën më pushton, gjer në palcë
Të tërin të ngërthej, gjer në gjak.
Ti, një dallgë e marrë
Më ngre peshë, më çon lart.
Zgjas dorën dhe retë
i prek, i puth, i mpak.
Telepati
Dëgjoj mendimet e tua.
Të shoh me sytë e zemrës.
Binjaku i shpirtit tim.
Të flas përmes heshtjes.
Distanca më tepër na afron.
Drejt teje, do të vija si e marrë.
Edhe nëse dashuria do të
ishte e lidhur me pranga,
mes hekurash, zinxhirësh e aliazhesh.
Ndjenja ime do të vraponte
Sërish tek ti.
Dje, nesër, gjithmonë, tani.
Grindemi, puthemi, prekemi.
Në telepati.
Pa busull
Në errësirë, pa busull,
mes detit të tërbuar,
lundroj në gadishujt e trupit tënd.
Dhe ti ngadalë …
më deh, më mbyt, më çmend.
Lëkura jote, hartë memece
E ngjyrosur nga puthjet e mia.
Si zambakët afrodiziakë,
të një liqeni të panjohur.
Mjegullohem në krahët e tua,
Drithërohem, kur
jetën dhe vdekjen ndiej.
Zëri im të depërton në ëndrra
Dhe aty sërish, unë të gjej.