Home KRYESORE Nuk mund të na mposhtë një virus. A e dini pse?

Nuk mund të na mposhtë një virus. A e dini pse?

Nga Dom Gjergji Meta

Sepse ai virus nuk ka një plan e ndoshta as ata që mund ta kenë “krijuar” nëpër laboratore nuk kanë një plan. Ose nëse e kanë një plan, si giithmonë kanë bërë llogaritë gabim, pasi botën nuk e mbajnë ata, por është një Hyj krijues i qiellit e i tokës, i njeriut dhe i çdo gjëje që ekziston.

Është një Hyj që mbi kryq na ka dhënë shembullin më të madh të dashurisë me anë të Birit të tij, Krishtit Jezus.

Vetëm Hyji ka një plan mbi botën dhe është një shestim dashurie. Një virus sado i fuqishëm të jetë, sado vdekjeprurës nuk do të na mposhtë asesi, sepse mbi kryet tona vigjëlon një Atë që botën e çka ka në të e do pafund.

Ne kemi përgjegjësi t’u bindemi autoriteteve, por as ligjet e masat e marra nuk do të na shpëtojnë nga koronavirusi, nëse me ne nuk është një Hyj që bashkëpunon me zemrën e njeriut.

E keqja e ka një cak ku përplaset e bëhet copë e kjo është dashuria e Hyjit, ndërsa kjo e fundit, pra dashuria, nuk mbaron kurrë, është e përjetshme.

Ndaj të lutemi o Hyj! Na jep kthjelltësinë e na largo frikën, panikun e kështu do të na largohet egoizmi, më i mbrapshti virus i të gjitha kohërave.

Na bëj të kuptojmë se nuk jemi pronarët e botës, por vetëm banorë të saj. Se nuk e kemi krijuar e nuk na përket, por thjeshtë na është dhënë si shtëpi për të banuar në të. Na e ke dhënë me “qera” e na kërkon vetëm ta mirëmbajmë.

Ne e dimë se do t’ia dalim mbanë, por Ti na qëndro afër në këtë çast të errët, në këtë mbrëmje të jetës tonë, që nesër të nisim një ditë të re e një udhëtim të ri.

Mbrëmje të bukur me Zotin në zemër!

  • dom Gjergji
Share: